Brenda një nate në Muriqan të Shkodrës janë vjedhur katër shtëpi. Disa persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur bagëtitë dhe një transformator të energjisë elektrike.
“Kanë çarë rrjetën dhe kanë marrë delet. Pas orës 01:00 se atëherë kanë ikur dritat. Kur është zgjuar gruaja nuk i ka gjetur qingjat. 3 i kanë prerë dhe një e kanë marrë me vete. S’kemi dëgjuar asgjë, as ne, as qentë,”-tha një prej banorëve të grabitur për “ABCNews”.
Hajdutët kanë pasur informacion kanë prerë fillimisht dritat duke marrë transformatorin dhe më pas kanë hyrë në kasolle dhe kanë marrë kafshët, disa prej të cilave i kanë therur në vend. Ndërkohë që banorët e fshatit Muriqan shprehen të frikësuar dhe kërkojnë që policia të jetë më prezente në zonat rurale.
“Për ne është shqetësim edhe në ’97 s’ka qenë kështu. Policia i ka provat me i dasht me i gjetë.”
Të shqetësuar për sigurinë e tyre, banorët kërkojnë gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë, ndërkohë që Policia ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e ndodhur për të dhënë më shumë detaje.