Sot, Dita e Rinisë, por ku janë të rinjtë?! 570 mijë më pak në dy dekada

0

Të rinjtë janë burimi i parë i shpresës për një të ardhme më të mirë, janë shtylla kurrizore e çdo shoqërie, përfaqësojnë më të mirën e së tashmes dhe të asaj që do të vijë. Atyre duhet t’u ofrohet perspektivë, si forma më e mirë për të ndalur hemorragjinë që ka përfshirë sot vendin

EDITORIAL- 8 Dhjetori, Dita e Rinisë në Shqipëri, kujtohet si një moment historik, kur një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës, në vitin 1990, u bënë protagonistë të kthesës së madhe historike, për ndryshimin e regjimit diktatorial.

Ishin kohë ëndrrash dhe shpresash të mëdha. Në fakt, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Vendi, shumë më i lirë se më parë, ka ecur përpara, është hapur me botën, ekonomia është rritur e diversifikuar. Të rinjtë e sotëm janë shumë më ndryshe se në atë kohë, kanë pa fund mundësi e zgjedhje se më se 30 vite më parë. Ambiciet e tyre janë shtuar, por edhe pritshmëritë për të ardhmen gjithashtu. Dhe aspiratat e të rinjve janë thelbësore për investimet e tyre në kapitalin njerëzor, zgjedhjet arsimore dhe rezultatet e tregut të punës.