Sot, dita e tmerrit për Iranin, Hegseth: Lufta do të mbarojë kur ta vendosim ne

0

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi sot se e marta do të jetë dita “më intensive” e sulmeve amerikane kundër Iranit.

“Sot do të jetë sërish dita jonë më intensive e goditjeve brenda Iranit. Më shumë avionë luftarakë, më shumë bombardues, më shumë sulme. Inteligjencë më e rafinuar dhe më e mirë se kurrë”, tha ai në një konferencë për shtyp në Pentagon, ndërsa informoi median mbi luftën në Iran.

Hegseth shtoi gjithashtu se Irani ka lëshuar numrin më të ulët të raketave brenda një periudhe 24-orëshe që nga fillimi i luftës.

Ai shtoi se operacioni është i përqendruar dhe Shtetet e Bashkuara po “shkatërrojnë armikun”.

Hegseth tha se regjimi iranian po nxiton drejt ndërtimit të një bombe bërthamore, por Presidenti Donald Trump ‘nuk do ta lejojë’.

Sipas tij forcat iraniane “po synojnë qëllimisht të pafajshmit” sepse e dinë që forcat e tyre po “dobësohen dhe shkatërrohen sistematikisht”. “Irani është i vetëm dhe po humbet rëndë”, tha ai.

Hegseth theksoi se objektivat e operacionit ‘Epic Fury’ mbeten të njëjta:

-Shkatërrimi i stokut të raketave të Iranit, lëshuesve të tyre dhe bazës industriale të mbrojtjes

-Shkatërrimi i marinës iraniane

-Mohimi i përhershëm i armëve bërthamore për Iranin

Ai përsërit komentet e mëparshme të Trump, duke thënë se ata po “shkatërrojnë armikun” në një mënyrë të pamëshirshme.

SHBA-të “nuk do të tërhiqen derisa armiku të mposhtet plotësisht dhe në mënyrë vendimtare”, tha Pete Hegseth.

“E bëjmë sipas afatit tonë, dhe në zgjedhjen tonë”, përfundoi ai.