SPAK dhe BKH zhvillojnë sërish takime në Elbasan, diskutime mbi problematikat dhe denoncimet për zgjedhjet e 11 majit

0

Strukturat e drejtësisë dhe hetimit vijojnë përpjekjet për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm dhe të pandikuar nga elementë kriminalë.

Përfaqësues të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zhvilluar sërish një vizitë pune mëngjesin e kësaj të shtune në qytetin e Elbasanit ku janë takuar me Drejtuesin e Prokurorisë Kreshnik Ajazi dhe Drejtorin e Policisë Vendore Fatmir Hoxha.

Fokusi i takimit kanë qenë shqetësimet dhe denoncimet në rritje që lidhen me zgjedhjet të 11 majit. Burime pranë takimit konfirmojnë se janë diskutuar masat konkrete që po merren për të parandaluar dhe ndëshkuar çfarëdo përpjekje për manipulim të votës, përfshirë blerjen e votave, presionin ndaj votuesve, dhe përdorimin e burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale.

Përfaqësuesit e SPAK dhe BKH kanë kërkuar angazhim maksimal nga institucionet lokale të drejtësisë dhe rendit, me qëllim rritjen e monitorimit në terren, sidomos në zonat e identifikuara si të ndjeshme. Ata kanë theksuar se çdo kallëzim apo indicie që lidhet me krime zgjedhore do të trajtohet me përparësi dhe në mënyrë të paanshme.

Gjithashtu është theksuar rëndësia e krijimit të një klime besimi për qytetarët që dëshirojnë të raportojnë parregullsi, duke garantuar mbrojtjen e tyre dhe trajtimin konfidencial të informacionit

Kjo është vizita e dytë e SPAK dhe BKH në Elbasan në prag të zgjedhjeve, duke e kthyer këtë qark në një nga pikat me vëmendje të veçantë për shkak të historikut të përfshirjes së elementëve të krimit të organizuar në procese zgjedhore të mëparshme.Autoritetet kanë theksuar se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo shkeljeje të ligjit elektoral, dhe kanë garantuar se veprimet penale do të ndiqen me shpejtësi dhe vendosmëri