E ftuar në në emisionin Top Story, Argita Malltezi akuzoi SPAK se në 3 vite hetime për Jamarbër Malltezin dhe Sali Berishën nuk i ka marrë kurrë në pyetje. Sipas saj, dosja nuk mund të shkonte në gjykatë pa marrë në pyetje dy personat që u vunë në masa sigurie.
Ajo shton se SPAK dhe GJKKO përdoren si kamzhikë nga kryeministri Rama kundër kundërshtarëve të tij politik. Pritshmëria për SPAK ishte e lartë por ky institucion nuk ka përmbajtje dhe materie.
Ndërsa për ndalimin e babait të saj Sali Berishës, për të dalë jashtë shtetit, ajo e konsideron një shkelje të kushtetutës dhe kufizim të lirisë së një deputeti.
Argita Malltezi: Për pritshmëritë e SPAK-ut shikohet materja dhe përmbajtja. Por po them diçka, bënë 3 vjet hetime. Po në cilin dimension dhe në cilin planet mund të ndodhë që në 3 vite të pyeten bashkëortakë të Jamarbërit, personat pjesë e administratës, të mos lihet asnjë pa pyetur gjatë hetimeve përveç dy personave që janë objekti kryesor i hetimeve, Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha.
Si mund të shkojë dosja në gjykatë pa pyetur Malltezin dhe Berishën. Sepse kur të dilte dosja, nuk duhej të mos bëhej publike deklarata e tyre. S’kanë dashur që deklarimi i Berishës dhe Malltezit të jetë në dosje dhe të dalë në media. Pse? Sepse ky është një sulm politik i hartuar nga Edi Rama dhe SPAK dhe GJKKO janë kamzhik në duart e Edi Ramës. Kjo gjykatëse ka marrë një dosje dhe ka vendosur masën e kufizimit të lirisë pa dëgjuar asnjë argument të mbrojtjes dhe personave. Ndoshta këta ishin gabim por duhet të ishin dëgjuar. Është hera e parë në 30 vjet që shkelet kushtetuta dhe kufizohet liria e një deputeti.