TIRANË- shtë shtyrë për nesër në orën 11:00, seanca ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. SPAK ka kërkuar arrest shtëpie me mbikëqyrje të punonjësve të Policisë së Shtetit. Seanca u shty sot pasi avokatët kërkuan më tepër kohë për t’u njohur me provat e SPAK.
Avokatët e Sali Berishës, Sokol Mëngjezi dhe Genc Gjokutaj, kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me provat e prokurorisë për ndryshimin e masës së sigurisë dhe përsëritën sërish kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, pasi sipas tyre ka konflikt interesi sepse është shkarkuar nga ish-kryeministri më 1996.
Vetë Sali Berisha, nuk ishte prezent, ndërsa paralelisht mbajti një bashkëbisedim me të rinjtë e FRPD-së. Ndërkaq në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, për shmangur ndonjë incident, u morën masa të shtuara sigurie, pasi prezente ishin patrulla policie.
Kërkesa e SPAK për të zëvendësuar masën u bë pak ditë më parë nga Kuvendi, i cili dha autorizimin për masën e arrestit ndaj Sali Berishës.
Sali Berisha është nën hetim nga SPAK për akuzën e “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim. Në dosjen e klubit sportiv “Partizani” thuhet se ish Kryeministri ndikoi që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, sot në arrest shtëpie, të privatizojë kompleksin dhe ndërtojë 19 kulla të cilat i sollën fitim prej 5.4 mln euro.