SPAK po përdor metoda të avancuara monitorimi online për të vëzhguar stilin e jetesës të personave nën hetim, si dhe të rrethit të ngushtë të tyre.
Kjo mënyrë e hetimeve financiare zbatohet sipas një udhëzimi të brendshëm që orienton hetuesit se si të zbulojnë pasuritë e pajustifikuara të personave të dyshuar për krim të organizuar dhe korrupsion.
Një nga metodat kryesore të gjurmimit të pasurive përfshin përdorimin e burimeve të hapura në internet, përveç databazave shtetërore.
Hetuesit analizojnë profilet në rrjetet sociale, postimet në blogje, komentet në forume, galeritë e fotografive, si dhe videot e publikuara në platforma si YouTube.
Këto burime ndihmojnë në përcaktimin e rrethit të miqve, interesave, vendet e argëtimit, si dhe pasuritë e dukshme dhe të fshehta, përfshirë automjetet që përdoren, raporton Tch.
Në udhëzimin e brendshëm pranohet se hetimi financiar apo pasuror zhvillohet paralelisht me hetimin penal. Kjo do të thotë se çdo person nën hetim nga SPAK-i i nënshtrohet një profili financiar, i cili ndërtohet nga prokurori përmes analizës së pasurive dhe stilit të jetesës së tij.
Megjithatë, avokatët kritikojnë ligjin anti-mafia, duke argumentuar se kërkesat për sekuestro preventive po krijojnë vështirësi për familjarët e të dyshuarve, të cilët shpesh ngarkohen me barrën e provës për pasuritë.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit të kaluar SPAK ka sekuestruar pasuri dhe llogari në vlerë 65 milionë euro, nga të cilat 36.7 milionë euro i kanë kaluar në pronësi të shtetit me vendime të formës së prerë për konfiskim.