SPAK operacion antidrogë me autoritetet e Finlandës/ Goditen disa grupe kriminale, arrestohen 9 shqiptarë, sekuestrohen automjete, telefona dhe dokumente

0

Kronologjia:

Operacioni në Finlandë/ Prokurori Shehu jep detaje: Aksioni antidrogë në orët e para të mëngjesit! 11 urdhër arreste, kapen 9 prej tyre

TIRANË- Prokurori i SPAK Alfred Shehu ka dhënë detaje nga operacioni ndërkombëtarë në Finlandë, kundër një grupi kriminal për shpërndarjen e drogës. Në fjalën e tij për mediat, Shehu ka theksuar se aksioni anti-drogë është zhvilluar në mëngjesin e sotshëm. Ndërkohë që ka theksuar se gjithsej janë dhënë 11 urdhër-arreste, nga të cilat janë ekzekutuar vetëm 9 prej tyre. Po ashtu janë sekuestruat 8 automjete, telefona celularë dhe shumë dokumenta që kanë të dhëna lidhur me aktivitetin kriminal të grupit.

“Hetimi nisi mbi bazën e informacioneve të ardhura nga autoritetet finlandeze. Është vlerësuar, në qershor 2023 u regjistrua procedimi penal, në fushën e narkotikëve fakte që ishin konstatuar në Finlandë. Bashkëpunimi u shtri më tej dhe në fund të nëntorit 2023 u krijuar skuadra e përbashkët hetimore. Hetimi deri më sot ka qenë i fshehtë, jo i hapur, pas krijimit të skuadrës së përbashkët nga SPAK, hetuesit e BKH, Policisë dhe Forcave Operacionale kanë vijuar veprimet hetimore, janë përdorur metoda speciale të hetimit, duke nisur nga përgjimet, janë shkëmbyer në vazhdimësi informacione.

Shkëmbimi i informacionit ka qenë thuajse i përditshëm dhe në përfundim u arrit dhe përcaktimi i ditës së aksionit se kur do të bëhej goditja. Është caktuar masa e sigurimit arrest me burg për 11 persona. U ngarkuan për zbatimin e urdhrit hetues të BKH, ora dhe data e aksionit janë biseduar gjerë e gjatë, dhe u vendos të kryhet sot, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të policisë Finlandezë. Janë arrestuar deri më tani 9 persona, po vijon puna për arrestimin e dy të tjerëve. Gjatë zbatimit të masave të sigurimit, u sekuestruan 8 automjete, telefona celularë dhe shumë dokumenta që kanë të dhëna lidhur me aktivitetin kriminal të vetë personave. Bashkëpunimi me autoritetet finlandezë do vijojë. Hetimet tani janë të hapura, do vijojë edhe hetimi pasuror për të gjithë personat e identifikuar,” tha Shehu.

Alfred Shehu

Grupi kriminal i drogës në Finlandë/ Prokurori Kraja: Përfshirje nga Shqipëria dhe Spanja drejt Finlandës

TIRANË- Prokurori i SPAK Arben Kraja ka dhënë detaje nga operacioni kundër grupit kriminal të drejtuar nga shqiptarë në Finlandë. Në një dalje për mediat, Kraja ka theksuar se hetimi për këtë grup kriminal ka vazhduar për 2 vite rresht. Ndërkohë që ka theksuar se ky grup ka përfshirje kriminale nga Shqipëria dhe Spanja drejt Finlandës.

“Ata kishin kontatuar shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitet kriminal. Në kontakt me autoritetet finlandeze, u krijua një skuadër e përbashkët hetimore. Dy vjet rresht, punë e përbashkët dhe kemi ardhur në ditën e sotme. Nga ky hetim, kemi nxjerrë disa problematika, tregojnë shtrirjen dhe shpërndarrjen e krimit shqiptar jashtë Shqipërisë. Përfshirje nga Shqipëria drejt Finlandës, nga Spanja drejt Finlandës. Kemi arritur të kemi sukses, me metoda speciale të hetimit. Çështja konkrete, besimi i autoriteteve finlandeze, tregon se jemi në të njëjtin hap për të luftuar krimin e organizuar”, tha Kraja.

Prokurori finlandez: Droga trafikohej nga Spanja e Holanda, aktiviteti kriminal drejtohet nga shqiptarë

TIRANË- Drejtuesi i Byrosë së Hetimit në Finlandë ka mbajtur fjalën e tij në konferencë lidhur me operacionin antidrogës mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze.

Ai bëri me dije se hetimet nisën dy vite më parë, ku u arrestuan 55 shtetas dhe u sekuestruan 300 kg lëndë narkotike. Zyrtari finlandez tha se droga trafikohej nga Spanja dhe Holanda. Ai tha më tej se nga hetimi në Finlandë, rezultoi se drejtuesit kryesorë të aktivitetit kriminal ishin persona që vepronin nga Shqipëria.

Drejtuesi i Byrosë së Hetimit në Finlandë: Dua të përgëzoj të gjithë kolegët që morën pjesë në këtë operacion sot në mëngjes. Dua të përgëzoj SPAK për bashkëpunimin gjatë dy viteve të fundit. Dy vite më parë u ndërmor një hetim në shkallë të gjerë, u arrestuan 55 shtetas, u sekuestruan rreth 300 kg lëndë narkotike e trafikuar nga Spanja dhe Holanda. 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë, rreth 100 kg marihuanë dhe disa tableta lëndësh narkotike. Nga hetimi në Finlandë, rezultoi se drejtuesi kryesor ishin shtetas që vepronin nga Shqipëria.

Operacioni i përbashkët me autoritetet finlandeze, Dumani: Janë goditur disa grupe kriminale, përgjegjës për trafikimin e disa lloje drogërash

TIRANË- Prokuroria e Posaçme dhe autoritetet finlandeze kanë zhvilluar sot një konferencë për mediat lidhur me operacionin e përbashkët antidrogë.

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka marrë fjalën i pari në konferencë, ku tha se krimi shqiptar ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën.

Dumani shtoi më tej se në kuadër të operacionit janë goditur disa grupe kriminale, që ishin përgjegjës për trafikimin e disa lloje drogërash.

“Arritje për historinë e SPAK, pasi shënon krijimin e njësisë së parë hetimore mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze. Ky bashkëpunim është dëshmi e qartë se krimi ka shtrirë aktivitetin e tij edhe vendet nordike përfshirë Finlandën. Ky hetim është tregues i qartë i vlerësimit që autoritetet ligj zbatues nordike kanë dhënë strukturave tona të drejtësisë. Na kanë mundësuar të godasim disa grupe kriminal et ë trafikut të drogës, drogë sintetike, kokainë, marjuanë etj. Rezultat i një pune të gjatë”, u shpreh Dumani.

SPAK operacion të përbashkët antidrogë me autoritetet e Finlandës, goditen disa grupe kriminale

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar një operacion të përbashkët antidrogë me autoritetet e Finlandës. Bëhet me dije se në kuadër të këtij operacioni janë goditur disa grupe kriminale të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

Lidhur me këtë pritet të zhvillohet një konferencë për mediat në orën 12:30, ku prokurorët e posaçëm dhe përfaqësuesit e autoriteteve finlandeze do të japin detaje dhe informacione më të zgjeruara.

“Në orën 12:30 do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp me autoritetet finlandeze për zhvillimin e një operacioni të përbashkët kundër disa grupeve kriminale të trafikut të lëndëve narkotike. Konferenca do të zhvillohet në Sallën e Mbledhjeve të Prokurorisë së Posaçme dhe do t’ju kërkoja të paraqiteni në orën 12:10, që të mund të hyni dhe të jemi gati për fillimin e perpiktë”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Disa ditë më parë, SPAK zhvilloi një tjetër operacion antidrogë në bashkëpunim me autoritetet italiane ku u godit një grup i fuqishëm kriminal në Durrës. Për operacionin “Ura” u lëshuan 52 urdhërarreste, ku u ekzekutuan vetëm disa prej tyre.