SPAK përfundon hetimet për Festim Qolin dhe të shumëkërkuarin Talo Çelën, lidhur me vrasjen e nënës dhe birit

0

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur zyrtarisht akuzat ndaj Festim Qolit, në lidhje me dy vrasje të ndodhura mbi një dekadë më parë, për motive të lidhura me prishjen e një ortakërie biznesi.

Qoli akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, vepra të kryera në dëm të ish-ortakut të tij, Elvis Dedaj. Sipas SPAK, Qoli ka financuar dhe urdhëruar vrasjen e Dedajt, pasi ky i fundit kishte kërkuar ndarjen e biznesit të përbashkët.

Për realizimin e vrasjes janë kontraktuar Talo Çela dhe Nuredin Dumani, pjesë e një grupi kriminal të njohur.

Ndaj Festim Qolit rëndon edhe akuza për vrasjen e Fatmira Dedajt, nënës së Elvis Dedajt, e cila po kërkonte drejtësi për vrasjen e të birit. Ajo u ekzekutua në mënyrë makabre në garazhin e një pallati në qytetin e Durrësit.

Festim Qoli është aktualisht në kërkim ndërkombëtar. Në kërkim vijon të jetë edhe Talo Çela, që nga viti 2012, kur ndodhi edhe vrasja e Elvis Dedajt.

Materialet i janë kaluar Gjykatës së Posaçme për Krimin e Organizuar, ku pritet të nisë procesi gjyqësor.