Dinamo dhe Elbasani ndalen në një barazim spektakolar 2-2 në miqësoren e luajtur dje në stadiumin e Librazhdit.
Dy herë dinamovitët kaluan në avantazh dhe po kaq herë u barazuan, në një përballje me shumë grintë dhe lojë të fortë sportive. Mbrojtësit blu, Behiratçe dhe Hoxha, ishin autorët e golave për të besuarit e Mehmetit, ndërsa K.Kasa dhe Lleshi realizuan për ekipin e Dedes në pjesën e dytë. Një test që u dha mundësinë trajnerëve të shohin lojtarët e afruar së fundmi.
Nga ana tjetër, Dinamo është më cinike dhe mundohet që të mbulojë mirë repartet dhe të shfaqet rrezikshëm në daljet në sulm. Madje, i afrohen sërish golit në minutën e 35-të, por është shtylla që shpëton Elbasanin. Verdheblutë nga ana tjetër kryejnë më shumë volum loje, por në këtë fraksion të parë mungon saktësia e tyre para portës, me 45 minutat që mbyllen në avantazhin e një goli të dinamovitëve.
PJESA E DYTË – Trajnerët nisin të bëjnë lëvizjet e para, duke aktivizuar lojtarë të stolit dhe i dhënë paksa freski lojës. Përballja bëhet shumë e fortë, me duele të ashpra në mesin e fushës, ku shpeshherë hynin në fushë stafet mjekësore. Madje, Abaz Karakaçi dëmtohet pas një ndërhyrjeje të tij në dëm të kundërshtarit. Sa i përket sfidës, verdheblutë barazojnë shifrat në të 66-ën me Klevis Kasën që godet fluturimthi brenda zonës pas një harkimi nga e djathta. Nuk zgjat shumë baraspesha, sepse dy minuta më pas është Rustem Hoxha që rikthen avantazhin për blutë, ku përfiton si duhet nga një harkim në zonë.
Ndeshja është “zjarr”, sepse në krahun tjetër është Greca që i afrohet golit, por topi përfundon ngjitur me shtyllën pingule. Elbasani vihet në kërkim të barazimit dhe ushtron presion në gjysmëfushën kundërshtare, ndërsa Dinamo di të menaxhojë mirë avantazhin dhe forcat. Në fund, Arsen Lleshi përfiton nga një gabim i mbrojtjes blu dhe me një gjuajtje nga jashtë zone, vulos rezultatin 2-2. Ndërkohë, miqësoren e djeshme e ndoqën si tifozë edhe afrimet e fundit të Elbasanit: Bruno Telushi dhe Ardit Hoxhaj.