ITALI – Kanë nisur zyrtarisht Lojërat e 25-ta Olimpike Dimërore “Milano–Cortina 2026”, me ceremoninë madhështore të hapjes të zhvilluar në stadiumin legjendar “San Siro” në Milano.
Ceremonia u shoqërua me performanca artistike dhe muzikore të nivelit të lartë, ku spikatën emra të njohur ndërkombëtarë si Mariah Carey dhe Laura Pausini. Gjithashtu, u zhvillua një homazh për figurat më të rëndësishme italiane në muzikë, modë dhe kulturë.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë mbi 1 250 performues vullnetarë, ndërsa u përdorën rreth 1 400 kostume artistike. Aktivitetet u zhvilluan paralelisht në Milano dhe Cortina d’Ampezzo, duke krijuar një atmosferë unike për publikun mbarëbotëror.
Delegacionet e vendeve pjesëmarrëse parakaluan me flamujt kombëtarë, ndërsa Shqipëria shënoi një rekord historik, duke u përfaqësuar për herë të parë me katër sportistë në Lojërat Olimpike Dimërore. Flamurin kuqezi e përfaqësuan skiatorët: Lara Colturi, Deni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti. Tre prej sportisteve parakaluan në Cortina d’Ampezzo, ndërsa Deni Xhepa përfaqësoi Shqipërinë nga Livigno.
Edhe Kosova ishte pjesë e kësaj ngjarjeje madhore sportive, e përfaqësuar nga dy skiatorë: Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj.
Ndërkohë, disa disiplina sportive kanë nisur garat që përpara ceremonisë zyrtare të hapjes, përfshirë curling, patinazhin artistik, hokejin mbi akull dhe snowboard-in.
Në fokus janë sportistë të njohur botërorë si Lindsey Vonn, Jordan Stolz dhe Nick Baumgartner, të cilët pritet të luftojnë për medalje.
Ceremonia e hapjes u ndoq edhe nga personalitete të larta politike dhe publike, mes tyre përfaqësues të qeverisë italiane dhe figura të rëndësishme ndërkombëtare.





