Rrëzoi ankimin e qeverisë për Ballukun, zbardhet arsyetimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese

0

Gjykata Kushtetuese ka bërë publike sot vendimin lidhur me kërkesën e paraqitur nga qeveria kundër masës së pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Vendimi i Kushtetueses vjen pas rreth dy muajsh e gjysmë shqyrtimi dhe ka në thelb rrëzimin e ankimimit të ekzekutivit.

Kërkesa e qeverisë lidhej me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila në nëntor 2025 kishte vendosur pezullimin nga detyra të Ballukut. Ky pezullim ishte hequr përkohësisht më 12 dhjetor 2025, po me vendim të Gjykatës Kushtetuese, në pritje të shqyrtimit përfundimtar.

Votim i ndarë në Kushtetuese

Sipas vendimit të shpallur pas mbledhjes që nisi në orën 11:00, ankimimi i qeverisë u rrëzua për shkak të ndarjes së votave mes anëtarëve të trupës gjykuese. Katër gjyqtarë votuan pro pranimit të kërkesës, ndërsa katër kundër, çka solli automatikisht mosmiratimin e saj.

Si pasojë, hyn sërish në fuqi masa e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun, duke rikthyer efektet e vendimit të mëparshëm të GJKKO-së.

Arsyetimi i Gjykatës

Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se parimi i barazisë para ligjit zbatohet për të gjithë funksionarët publikë, përfshirë edhe anëtarët e Këshillit të Ministrave. Sipas Kushtetueses, ushtrimi i funksioneve të larta shtetërore nuk përjashton përgjegjësinë ligjore dhe as nuk cenon kompetencat e organeve të drejtësisë për të vendosur masa procedurale.

Gjykata vlerëson se vendimi i GJKKO-së nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe se masat e marra ndaj funksionarëve publikë duhet të shqyrtohen brenda kornizës ligjore, pa krijuar përjashtime për shkak të funksionit që ata mbajnë.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese konsiderohet përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim.