Rektorati i Universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani” i dha Certifikatë Mirënjohjeje studentit Sadush Gëzim Tosuni me motivacionin “Për shpalljen kampion universitar mbarëkombëtar në ping pong”.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast merrnin pjesë Rektori i Universitetit të Elbasanit, prof.dr. Skender Topi, Presidenti i Federatës së Sportit Universitar Besnik Veliu, personaliteti i sportit shqiptar Hysen Domi, Shefi i Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Fakultetin e Shkencave të Edukimit doc. dr. Edmond Biçoku etj.
Në fjalën e marrë me këtë rast Rektori Skender Topi përgëzoi studentin Sadush Tosuni për rezultatin e arritur. Gjithashtu ai nënvizoi se Departamenti i Edukimit Fizik dhe Sporteve në Elbasan në vite ka nxjerrë talente të cilët po bëjnë emër në të gjitha kategoritë e sporteve sot në Shqipëri por jo vetëm. “Universiteti i Elbasanit ka pasur dhe vazhdon të ketë një koordinim të shkëlqyer me federatat sportive në evidentimin dhe promovimin e talenteve”, deklaroi rektori. Prof. dr. Skendër Topi u shpreh se sportit është prioritet kombëtar në strategjinë e arsimit.
Presidenti i Federatës së Sportit Universitar Besnik Veliu, evidentoi bashkëpunimin mjaft të mirë që ekziston mes kësaj federate dhe Universitetit të Elbasanit dhe mbështetjen që UE u jep studentëve dhe talenteve në fushën e sportit
Personaliteti i fushës së sportit Hysen Domi gjithashtu nënvizoi faktin se studentët e Edukimit Fizik kanë pasur gjithnjë mbështetjen e rektoratit të UE duke u krijuar atyre të gjitha mundësitë për të arrijnë rezultate të larta.
Shefi i departamentit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, doc. Dr. Edmond Biçoku se nuk është vetëm Sadush Tosuni ai që ka arritur këto rezultate. Nga ky universitet kanë dalë edhe talente të tjera që spikasin sot brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu ai ka evidentuar mbështetjen e Universitetit në universiadat kombëtare e ndërkombëtare.
“Ndjehem shumë i vlerësuar për këtë titull dhe kjo më motivon të shkoj më përpara për rezultate më të mira” u shpreh studenti Sadush Tosuni.
Infowebtv