TIRANË- Ministria e Brendshme ka reaguar pas sulmit kibernetik mbi sistemin TIMS. Ministria e Brendshme deklaron se mbrëmjen e kaluar sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik.
Sipas MB, për efekt sigurie sistemet tona, përfshi atë TIMS, kanë qëndruar përkohësisht të mbyllura derisa rreziku të shmangej plotësisht. Ajo thekson se shumë shpejt sistemi TIMS do të rikthehet në punë.
“Mbrëmjen e kaluar sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik. Nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë. Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacënueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal. Për efekt sigurie sistemet tona, përfshi atë TIMS, kanë qëndruar përkohësisht të mbyllura derisa rreziku të shmangej plotësisht. Shumë shpejt sistemi TIMS do të rikthehet në punë. Maksimalisht të vendosur, bashkë me aleatët tanë, vazhdojmë punën për të bërë gjithçka duhet që sistemet tona digjitale të jenë të sigurta dhe shërbimi ndaj qytetarëve të mos ndërpritet në asnjë rast”, thuhet në reagim.
Prej mbrëmjes së djeshme pikat kufitare kanë rënë në një sulm kibernetik pas të cilit sipas qeverisë fshihet sërish Irani. Nga ora 20:00 e mbrëmjes së djeshme u raportuan probleme në sistemin TIMS në pikën kufitare të Kapshticës, ndërkohë më vonë u raportua për probleme dhe në pikën kufitare të Kakavijës dhe Rinasit. Dosja.al arriti të siguronte mesazhin e dërguar në kompjuterët e policëve në pikat e kalimit kufitar u ishte shkruar “Shqipëria po vuan dhe do të vuajë ende përkrahjen që i ka dhënë iranienëve të MEK”. Ditën e sotme kryeministri Edi Rama akuzoi Iranin se fshihet pas këtij sulmi. Kreu i ekzekutivit u shpreh se po punohet me aleatët që sistemet të mbetën të pa penetrueshme nga sulmet.