“Elbasani ka hyrë në një cikël të qëndrueshëm zhvillimi i cili nuk mund dhe nuk duhet të ndërpritet”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri gjatë një takimi me banorë të lagjes “5 Maji” të këtij qyteti. “VOTA në 14 maj duhet ta çimentojë shumë mirë lidhjen qeveri qendrore – pushtet lokal. Gabimi politik do ta ndërpriste këtë cikël zhvillimi që ka filluar Elbasani. Kështu ndodh! Sa herë e merr opozita, gjëja e parë që bën thjesht heq ca njerëz nga puna për të futur militantët e saj dhe asnjë zhvillim tjetër nuk ndodh. Oferta e krahut tjetër nuk përfaqëson asgjë dhe nuk premton për zhvillimin e qytetit”, tha ai.
Numri dy i socialistëve u shpreh se alternative përballë përfaqëson dyshen Berisha-Meta, të cilët kanë treguar se edhe kur kanë pasur pushtetin nuk kanë bërë asnjë punë. “Përballë kemi një dyshe politike në Tiranë dhe një të dërguar të kësaj dysheje në Elbasan. Dyshja e Tiranës dihet, Berisha – Meta, martesë e re zakone të vjetra. E dimë shumë mirë se çfarë përfaqësojnë se çfarë kanë bërë. Kur vjen këtu ai Luçi del në qytetin e Elbasanit do ta fshehë, a thua sikur është vetëm. Në fakt është përfaqësues i tyre. Dhe fletën e votimit po ta shikoni, Ilir Meta është te fleta e votimit. Në 14 maj ne kemi mundësi të vlerësojmë me votë edhe politikat që ka ndjekur Partia Socialiste dhe qeveria shqiptare” theksoi Gjiknuri.
Drejtuesi politik i PS për qarkun u ndal dhe tek politikat sociale të ndërmarra nga qeveria “Rama”, për të cilat kërkoi vijimin e mbështetjes për të vijuar me rritjen e pagave, pensioneve etj. “Rritja e pagave dhe synimi që vitin tjetër të shkojë paga mesatare 900 euro është një synim shumë i lartë, shumë human por dhe shumë i rëndësishëm për të ardhmen dhe zhvillimin e vendit. Ne këtë do ta realizojmë, por na duhet mbështetja në 14 maj sepse çdo aksident politik gjatë kësaj rruge do t’i vërë në rrezik të gjitha arritjet po dhe angazhimet që kemi marrë. Po mos harroni një gjë që rritja e pagave mesatare do të sjellë rritjen e fondit të pensioneve dhe sigurimeve shoqërore, do të thotë automatikisht rritje edhe e pensioneve. Vetëm në 6 muajt e fundit janë mbi 160 mijë lekë të vjetra që u janë dhënë pensionistëve. Ka dhe një 50 mijë lekësh tjetër që do bëhet realitet shumë shpejt” tha Gjiknuri.
Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja tha se në fokusin e tij kryesor në 4-vjeçarin e ardhshëm janë pikërisht zonat informale të cilat kanë nevoja të shtuara, sidomos në infrastrukturë. Investimet e mëdha, -shtoi më tej kryebashkiaku Llatja, do të gjenerojnë më shumë të ardhura për të investuar më pas në çdo lagje e rrugicë. “Kemi për të bërë rrugët e brendshme të lagjes. Ne po urbanizojmë zonat informale. Jam i bindur që brenda këtij mandate, përveç rrugëve kryesore që kemi në lagje dhe rrugë lidhëse të ” 5 Maji”, do të ndërtojmë dhe restaurojmë dhe rrugicat e brendshme, do të zgjidhim problematikat e urbanizimit. Unë e kam sfidë personale urbanizimin e zonave informale, të “Teqes”, te ” Emin Matraxhiu”, të zonës së Krastës poshtë, të Mengelit, të lagjes që kemi tek prita e Zaranikës. Tek lagja e ” Teqes”, ne duam që këtë mandat të përfundojmë zhvillimin infrastrukturor të gjithë zonës” vuri në dukje Llatja.
Edhe Ministrja e Arsimit, deputetja Evis Kushi vuri në dukje se mbështetja për PS dhe Gledian Llaten nuk është e rastësishme, pasi puna është treguar përmes investimeve të shumta në qytetin e Elbasanit.
“Ju jeni një nga zonat që e mbështesni më fort dhe me zemër Partinë Socialiste, kështu që edhe ne ju jemi shumë mirënjohës. Kjo mbështetje nuk është e rastësishme,në fakt është një mbështeje sepse gratë dhe vajzat sikurse dhe të gjithë banorët, të gjithë qytetarët e Elbasanit i besojnë fort Partisë Socialiste, i besojnë fort kryetarit të bashkisë Gledian Llatja për punët e mira që janë bërë dhe për të tjerat që do të bëhen në mandatin e ardhshëm”, deklaroi Kushi.