TIRANË – Administrata Tatimore ka ndërmarrë një aksion për sekuestrimin e tetë automjeteve luksoze në Tiranë, në kuadër të masave për mbledhjen e detyrimeve të papaguara tatimore.
Sipas njoftimit zyrtar, mjetet e sekuestruara i përkasin një tatimpaguesi që rezulton me rreth 6.4 milionë euro detyrime të pashlyera ndaj shtetit. Mes automjeteve të bllokuara janë marka të njohura luksoze si McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW.
Administrata Tatimore bëri të ditur se aksioni është pjesë e masave shtrënguese që po zbatohen ndaj subjekteve debitore, duke kaluar nga bllokimi i llogarive bankare te sekuestrimi i aseteve, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve.
Sipas burimeve, automjetet e sekuestruara janë në pronësi të biznesmenit Irfan Hysenbelliu dhe djalit të tij, Fatmir Hysenbelliu, megjithëse identiteti i subjektit nuk është bërë publik në njoftimin zyrtar të autoriteteve tatimore.
Në reagimin e saj, Administrata Tatimore thekson se masat shtrënguese do të vijojnë ndaj të gjithë tatimpaguesve që nuk përmbushin detyrimet ligjore, përfshirë subjektet e referuara në Prokurori, si dhe ato që kanë krijuar detyrime të reja tatimore pas datës 31 dhjetor 2024 dhe që nuk përfitojnë nga ligji për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore.
Autoritetet paralajmërojnë se aksione të ngjashme do të vazhdojnë në të gjithë vendin, me synim garantimin e zbatimit të ligjit dhe rritjen e nivelit të arkëtimit të detyrimeve ndaj shtetit.Burimi: JOQ





