Të braktisur prej 3 ditësh pa ngrënë e në të ftohtë, Ministria e Shëndetësisë reagon për 3 të miturit në Durrës

0

Pas lajmit të bërë publik në media për braktisjen e 3 fëmijëve të mitur prej 3 ditësh në Durrës nga e ëma, ka reaguar tashmë dhe Ministria e Shëndetësisë.

Në deklaratën publike shkruhet se 3 të miturit kanë mbërritur disa çaste më parë në spitalin e Durrësit të shoqëruar nga e ëma e tyre. Ata i janë nënshtruar ekzaminimeve të nevojshme si dhe u është siguruar ushqim dhe veshmbathje.

Ministria bën me dije se në vijim do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial për të vendosur për masat e mëtejshme që do të merren për mbrojtjen e fëmijëve.

Durrës, 11 janar 2026 – Pas sinjalizimit nga media ditën e sotme, mbi braktisjen e mundshme të tre fëmijëve nga nëna e tyre, Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit mori deklaratat përkatëse nga nëna, fëmijët dhe gjyshja e tyre.

Pak minuta më parë, tre fëmijët kanë mbërritur në Spitalin Rajonal Durrës,  ku po qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve,  të shoqëruar edhe nga nëna, ndërkohë që iu është siguruar ushqim dhe  veshmbathja e nevojshme.

Në vijim, do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial, për të vendosur mbi masat e mëtejshme për mbrojtjen e fëmijëve”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Tre të miturit janë gjetur paraditen e sotme pas një denoncimi të depozituar në polici nga gjyshja e tyre nga ana e babait. Prindërit e tyre janë të ndarë ndërsa e ëma prej 3 ditësh i kishte lënë vetëm, pa ushqim dhe në të ftohtë. Shtëpia është gjetur totalisht e shkatërruar ndërsa burime për media raportojnë për një sherr mes nënës së tyre dhe ish-vjehrrës së saj, e cila ka dashur që të marrë fëmijët.