Të ndjerën “s’e lënë të vdesë”, ndarja nga jeta duhet të provohet në gjykatë

0

Muhamet Koçi nga Bulqiza tregon në emisionin “Stop” në Tv Klan që nëna tij ka ndërruar jetë më 2 shkurt 2025, por nuk e çregjistrojnë pasi pasaportizimi i saj figuron në Xhafzotaj, ndërkohë që ajo ka marrë marrë shërbim mjekësor në Gjoricë të Bulqizës ku edhe jetoi deri në fund.

Denoncimi:

Muhamet Koçi: Me datë 2.2.2025 mua më ka ndërruar jetë nëna. Ka ndenjur në Xhafzotaj, pasi djali i vëllait u largu në emigrim. Nëna u kthye te unë në fshat, fshati Çernec i komunës Gjoricë, Bulqizë, e ka banuar me mua. Kam shku në Xhafzotaj për të bërë çregjistrimin e nënës. Ato më shpjeguan,që gjoja duhet të kisha hapur një kartelë te qendra shëndetsore në Xhafzotaj, unë në fakt nuk kam hapur. Nëna, lejen e banimit, e ka pas në Xhafzotaj, shërbimet ia ka bërë mjeku i familjes atje në fshat.

Gazetarja: Ndërkohë ju skedën e vdekjes nuk arritët ta merrnit për çfarë arsyeje?

Muhamet Koçi: Për arsye se atje në Xhafzotaj nuk kisha kartelë të hapur, në Gjoricë nuk kishte lejen e banimit edhe kështu, unë nuk e mora askund.

“Stop” provoi edhe në varreza se e ndjera Fatime Koçi kishte ndërruar jetë.

Gazetarja: E konfirmon që është kjo, Muhamet?

Muhamet Koçi: Po, po e sigurt, ka dy kurora, një te këmbët, një te koka.

Gazetarja: Është në krah të Rrahman Koçit?

Muhamet Koçi: Po, është babai.

Gazetarja: Këtu keni varrosur nënën.

Muhamet Koçi: Nënën.

Në qendrën shëndetësore të Gjoricës, mjeku Telmond Veliu thotë se i ka dhënë shërbim të ndjerës, por skedën nuk ia bënte dot pasi nuk e kishte paciente. Ai thotë se e ka pajisur me një vërtetim që e moshuara ka ndërruar jetë. Sipas mjekut, skeda e vdekjes do një numër dhe një kod që ka pasur pacienti i cili duhet të figurojë në vendbanim.

Punonjësja: Është në Peshkopi në mbledhje.

Mjeku Telmond Veliu: Unë jam.. kemi një vdekje!

Gazetarja: Ngushëllime! Ne i kemi shërbyer dhe kaq.

Gazetarja: Të ka ndërruar jetë një pacient në zonën që ti mbulon me shërbim. Nuk ka pasaportizimin këtu, ka pasaportizimin këtu, është histori tjetër. Skeda e vdekjes lëshohet nga mjeku i qendrës shëndetësore, mjeku i urgjencës, nga çdo lloj mjeku, mjafton të bëhet shkaku i vdekjes.

Mjeku Telmond Veliu: Po pra po, pikërisht ne i kemi dhënë një vërtetim, për të cilin…

Gazetarja: Po me vërtetim nuk çregjistrohet njeriu!

Mjeku Telmond Veliu: Epo tani, skeda e vdekjes do dhe një numër, do dhe një kod, që ti e ke pasur atë pacientin. Ne vërtetojmë, aq sa dimë. Më kupton? Sepse skeda e vdekjes është për çregjistrim. Si ta plotësojmë skedën e vdekjes, kur nuk e kemi në vendbanim?

Gazetarja: Po ka ndërruar jetë pacienti!

Mjeku Telmond Veliu: Prandaj i kam dhënë një vërtetim që ka ndërruar jetë.

Në njësinë Xhafzotaj, aty ku e ndjera ka gjendjen civile, Fatime Koci figuron e gjallë pasi e vetmja mënyrë për çregjistrim është me skedën e vdekjes. E vetmja zgjidhje për të çregjistruar Fatimen është gjykata që duhet të provojë vdekjen e saj./ Tvklan.al