Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë në Durrës, në lidhje me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë.
Të arrestuarit janë një 26-vjeçar dhe një 29-vjeçar, të cilët janë përfshirë në një konflikt, ku pati dhe të shtëna me armë. 26-vjeçari ka dhunuar 29-vjeçarin që kishte shkuar si klient në lokalin e tij, së bashku me kushëririn e tij 35-vjeçar. Ky i fundit është shpallur në kërkim. Pas sherrit, 29-vjeçari ka shkuar i dehur në banesën e tij dhe ka qëlluar me armë pa leje, në ajër.
Policia ka sekuestruar armën, teksa vijon puna për kapjen e 35-vjeçarit të shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga 29-vjeçari që gjatë konfliktit, qëlloi me armë gjahu në ajër, me qëllim kanosjen. Ai u kap dhe u shoqërua nga Policia, menjëherë pas rastit.
Sekuestrohet arma e gjahut, e cila posedohej pa leje.
Vihet në pranga edhe një 26-vjeçar dhe shpallet në kërkim kushëriri i tij, sepse gjatë konfliktit, goditën me sende të forta 29-vjeçarin.
Sipas policisë, u arrestua në flagrancë shtetasi K. D., 29 vjeç dhe P. P., 26 vjeç, të dy banues në Durrës. Gjithashtu, u shpall në kërkim kushëriri i shtetasit P. P., shtetasi D. P., 35 vjeç, banues në Durrës.
Shtetasi P. P. dhe D. P., dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, 29-vjeçarin, në lokalin që administronte shtetasi P. P.. Më pas dyshohet se duke qenë në gjendje të dehur, shtetasi K. D. ka shkuar në banesën e tij, ku mbante pa leje, një armë gjahu, me të cilën ka qëlluar në ajër, me qëllim kanosjen e 2 shtetasve.
Punohet për kapjen dhe ndalimin e shtetasit D. P., ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit.