TIRANË– 20.37 mld lekë ose 160 mln euro është borxhi që Ujësjellësit kanë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë elektrike, pasi nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike.11.05 miliardë lekë janë detyrime të faturuara ndaj kompanisë dhe 9.32 miliardë lekë janë detyrime për kamatëvonesa.
Mile shton se debitori më i madh rezulton se është ujësjellësi i Durrësit me 6.43 mld lekë, i ndjekur më pas nga ujësjellësi i Vlorës me 2.18 mld lekë, Patosi me 1.58 mld dhe Fieri po me 1.27. Këto borxhe ndaj OSHEE rëndohen edhe më shumë kur vendi ka shpallur një emergjencë energjetike dhe qeveria do të japë një garanci sovrane prej 200 mln eurosh në ndihmë të sektorit.
Mosplotësimi i planit të furnizimit me energji elektrike si pasojë e motit të thatë do të detyrojë OSHEE të plotësojë këtë mungesë me blerje energjie në tregun e lirë, që do të ndikojë në ulje të performancës financiare të kompanisë.
Si pasojë, nga ana e OSHEE parashikohet një humbje financiare prej rreth 8.9 miliard LEK për vitin 2021 dhe nëse nuk merren masa të menjëhershme edhe viti 2022 do të shënojë një humbje financiare prej rreth 7.2 miliard LEK. Në draft-buxhet theksohet ndër të tjera se kriza energjetike në vend është ndikuar nga moti I thatë ndërsa kaskadat e hidrocentraleve ndodhen nën mesataren historike të 30 viteve.
Për të përmirësuar gjendjen financiare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë sugjerohet që të merren masa sa më shpejta për të nxjerrë në treg të lirë konsumatorët e mëdhenj.
HUMBJET FINANCIARE TË OSHEE
2021 8.9 MLD
2022 7.2 MLD
Borxhet e ujësjellësave
Durrësi UK 6.43 mld lekë
Vlorë UK 2.18 mld lekë
Patos UK 1.58 mld lekë
Fier UK 1.27 mld lekë
Krujë UK 0.93 mld lekë