Një zjarr i rënë pasditen e kësaj të mërkure në zonën kodrinore të Shkëmbit të Kavajës ka përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre mesdhetare.
Zona konsiderohet nga zjarrfikësit si “e vështirë për t’u menaxhuar”, por megjithatë ndërhyrja e këtyre të fundit ka bërë të mundur shuarjen e flakëve, fillimisht në pjesën e sipërme të kodrës, e më pas edhe në pjesën e poshtme.
Temperaturat e nxehta të kësaj jave, sidomos të ditës së sotme që parashikohej të arrinin deri në 40 gradë Celsius, duket se kanë shtuar rrezikun e rënies së zjarreve, ku vetëm 1 javë më parë në 2 pika të ndryshme të qytetit të Durrësit, në Kodër-Vilë e në hekurudhë, pati 2 vatra zjarri, fatmirësisht pa dëme.
Një ditë më parë, Shërbimi Meteologjik Ushtarak e klasifikonte qarkun e Durrësit me rrezik të moderuar për rënien e zjarrit gjatë kësaj jave që konsiderohet deri më tani më e nxehta e kësaj vere.