Humbi nënën, motrën dhe mbesën, shqiptarja e përndjekur nga makthet e aksidentit: Shoh nënën teksa i digjen krahët

0

Humbi nënën, motrën dhe mbesën. Vetë mbeti e plagosur nga një aksident. Kjo është historia e trishtë e një gruaje shqiptare, e cila ka treguar se që nga momenti i kësaj ngjarjeje “bota i është shkatërruar në copëza” dhe se sheh makthe me anëtarët e familjes së saj që digjen për vdekje.

Blerta Vokshi i ka treguar të gjitha gjatë një seance gjyqësore ndaj shoferit Sarbjit Matharu, i cili në vitin 2016 shkaktoi në një autostradë në Toronto të Kanadasë një aksident të rëndë që i mori jetën disa shqiptareve. Vokshi ka deklaruar se imazhet e “nënës së saj teksa i digjeshin krahët, mbesës që po digjej e gjallë dhe motrës së shkretë të djegur në çdo cep të trupit”, po i shkaktojnë traumë të rëndë.

Familja Vokshi po kthehej në shtëpi pas një udhëtimi në Wonderland në Kanada dhe u përfshinë më 24 Qershor të vitit 2016 në një aksident të rëndë së bashku me 10 makina. Gjithçka nisi kur kamioni i Matharu përplasi fillimisht një Hyundai, që drejtohej nga një qytetare e huaj 27-vjeçare e cila humbi jetën. Kjo përplasje shkaktoi një seri të tjera përplasjesh dhe shpërthimesh që përfunduan me vdekjen e Xhemile Vokshit, 55 vjeç; Valbona Vokshit, 35 vjeç dhe Isabela Kucit, 5 vjeç.

Blerta Vokshi po ashtu u përfshi në aksident. Ajo ndodhej në një makinë tjetër së bashku me djalin, por fatmirësisht shpëtuan vetëm me disa dëmtime në trup. Në deklaratën e saj para gjykatës, ajo rrëfeu se si vuan nga ankthi për shkak të stresit post-traumatik që ka pësuar nga ngjarja që ka parë teksa shihte anëtaret e dashura të familjes të ndërronin jetë para syve të saj.

“Netët janë më të këqija sepse filloj dhe përjetoj ngjarjet tragjike”, ka treguar ajo.

Shoferi i kamionit që shkaktoi aksidentin ishte në përfundim të udhëtimit prej 2100 kilometrash, por kishte falsifikuar të dhënat e tij për të fshehur mungesën e gjumit. Gjatë këtij viti, gjykatësi Michael Code e shpalli Matharu-n fajtor për neglizhencë që shkakton vdekje dhe dëmtime në trup. Sipas asaj që transmetojnë mediat e huaja, ai ka qenë në udhëtim për 26 orë pa fjetur dhe ka qenë në telefon duke folur me miqtë e tij për periudha të gjata kohore. Ai është justifikuar me faktin se industria e kamionëve i bën presion shoferëve që të thyejnë ligjin në mënyrë që të respektohen afatet kohore të dërgesave.

Zëvendës prokurori i çështjes Katalin Kirec ka kërkuar një dënim nga 10 deri në 12 vjet burg për Matharu. Nga ana tjetër, avokatja e tij mbrojtëse kërkoi një dënim më të zbutur. Shoferi i kamionit ishte zhvendosur nga India në Kanada në vitin 2009 dhe kishte dokumente të rregullta. Megjithatë pas kësaj ngjarje ai rrezikon deportimin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu