Tensionet në veri dhe rreziku i një lufte në Kosovë, Kurti dhe Vuçiç takohen në Bruksel

0

Pas më shumë se një viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian. Pavarësisht se ende nuk është bërë publike agjenda, takimi pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve mes dy vendeve.

Më 31 dhe 1 gusht, serbët lokalë në veri të Kosovës, bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Barrikadat u ngritën për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Por, fakti që ka kaluar më shumë se një vit nga rundi i fundit i dialogut, në nivelin e lartë politik, nga disa diplomatë në Bruksel po shihet si dëshmi se ky proces nuk ka shkuar sipas ritmit që pritej dhe ka pasur ngecje të mëdha.

Arsyet pse Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takime në kuadër të dialogut kanë të bëjnë me atë që BE-ja e ka quajtur “mungesë të gatishmërisë dhe vullnetit të palëve për të arritur përparim konkret në dialog”.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, disa muaj më parë deklaroi se nuk do të thërriste ndonjë takim në nivel të lartë, për aq kohë sa nuk vëren se ka vullnet të palëve që në takime të tilla të arrihen rezultate.

Në këtë kohë, në Bruksel ka pasur takime – po ashtu të rralla – midis ekipeve të kryenegociatorëve, por rezultatet konkrete nga takime të tilla kanë qenë të vogla. Në takimin e fundit të dialogut në nivel të kryenegociatorëve, më 21 qershor, palët arritën pajtim për udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë. Por, zbatimi i këtij akordi po has në pengesa dhe nuk po respektohen afatet kohore për zbatimin e tij./ REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu