FIER/KAKAVIJË – Policia ka arrestuar 27-vjeçarin Kelmend Beqaj, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Sipas njoftimit të Policisë, Beqaj më 5 janar 2025, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Gledian Hoxhallari, 42 vjeç, bashkëshortin e të dashurës së tij, Melisa Hoxhallarit. Ngjarja ndodhi teksa Hoxhallari po prisnte për t’u takuar me bashkëshorten, dhe Beqaj e sulmoi me armë zjarri.
Pas ngjarjes, Beqaj u arratis, ndërsa Melisa Hoxhallari u largua me të dashurin, por më pas u vetëdorëzua në Polici.
Ai u ndalua në Kakavijë nga shërbimet e Policisë Kufitare, ndërsa materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale:
- “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë
- “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier bënë të mundur ndalimin e Beqajt pas një viti arratie.





