Tërmet në jugperëndim të Shqipërisë, ndihen lëkundje në disa qytete

0

Një tërmet me magnitudë 3.4 të shkallës Rihter është regjistruar këtë të enjte, më 26 qershor 2025, në orën 13:51, në jugperëndim të vendit.

Sipas të dhënave të para të Qendrës Europiane të Sizmologjisë (EMSC), epiqendra e tërmetit është lokalizuar rreth 17 kilometra në juglindje të qytetit të Patosit, ndërsa thellësia është përllogaritur në vetëm 5 kilometra, çka e bën atë një tërmet sipërfaqësor dhe potencialisht më të ndjeshëm për banorët e zonës.

Lëkundjet janë ndjerë në disa qytete përreth, përfshirë Fierin, Patosin dhe Ballshin. Deri në momentin e raportimit, nuk ka informacione për dëme materiale apo persona të lënduar.

Ky tërmet vjen pas disa lëkundjeve sizmike të regjistruara në ditët e fundit në Shqipëri, mes të cilave ajo më e forta ishte me magnitudë 4.2 Rihter dhe u ndje kryesisht në zonën e Fushë Krujës.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe bëjnë thirrje për qetësi dhe vigjilencë nga qytetarët.