Tërmetet sot në Shqipëri, flet sizmologu Koxhaj: Ka pasur disa pasgoditje!

0

Lëkundje sizmike janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në vendin tonë.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, tërmeti ishte me magnitudë 4.2 e shkallës Rihter, teksa epiqendra e tij ka qenë në Nikël.

Lëkundjet janë ndjerë në zonën e Tiranës, Fushë-Krujës dhe Durrësit. Tërmeti është regjistruar 05:04 të mëngjesit, teksa ka patur një thellësi fokale prej 15 km. Ndërkohë, me të njëjta të dhëna e nxjerr tërmetin edhe Qendra Sizmiologjike Europiane-Mesdhetare.

Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale, por për të kuptuar më shumë mbi këtë rikthim të lëkundjeve sizmike në vendin tonë, në një intervistë në “Ora News” ishte sizmologu Damian Koxhaj.

“Tërmeti i sotëm ishte relativisht i vogël dhe që nuk shkakton dëme materiale. Është një tërmet i cili nuk është i papritur, pasi kanë ndodhur dhe më parë, jemi në monitorim të situatës.

Deri tani kemi pasur disa pasgoditje të këtij tërmeti, gjë e cila është pozitive pasi situata është duke u qetësuar, por siç thashë jemi në monitorim të situatës dhe të shikojmë se si do të shkojë kjo ngjarje.

Shqipëria është një vend sizmik, por nuk mund të parashikojmë rënien e një tërmeti, por thjesht mund të monitorojmë situatën.

Shqiptarët duhet të qetësohem, pasi ne jemi një vend me aktivitet sizmik.

Në atë zonë ku ra tërmeti sot ka pasur më herët gjatë këtyre javëve rreth 26 tërmete të tjera, të cilat kanë qenë të vogla dhe nuk janë ndjerë pothuajse fare”, u shpreh Koxhaj.