Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë godet Stambollin

0

STAMBOLL- Një tërmet i fortë me magnitudë 6.2 është shënuar afër Stambollit ditën e sotme. Ai është shoqëruar me një pasgoditje me magnitudë 5.5 ballë.

Tërmeti, sipas mediave lokale, është ndjerë në provincat përreth si dhe në Stamboll. Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya, në një deklaratë në llogarinë e tij personale në rrjetet sociale, u shpreh: “Një tërmet me magnitudë 6.2 ka ndodhur në Silivri, në Detin Marmara, në Stamboll. Për tërmetin i cili është ndjerë edhe në krahinat fqinje, AFAD dhe të gjitha ekipet e agjencive tona kompetente kanë nisur hetimet në vend. Uroj shërim sa më të shpejtë qytetarëve tanë që u goditën nga tërmeti. Zoti e ruajtë vendin tonë”.

Një tjetër tërmet ka ndodhur më parë, i cili ka tronditur Trakinë lindore mesditën e së mërkurës, duke u ndjerë edhe në zona të Stambollit. Tërmeti ka qenë me magnitudë 3.9 ballë të shkallës Rihter, në Detin Marmara, në gjysmë të rrugës midis Radestos dhe Stambollit. Siç është njoftuar nga Agjencia Turke e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), tërmeti ka pasur një thellësi fokale prej 6.9 kilometrash.