Tiranë– Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Tayyar Kağan Atay, u shpreh mjaft mirënjohës lidhur me mbështetjen e autoriteteve shqiptare, popullit shqiptar dhe fondacioneve për ndihmën që po i japin popullit vëlla turk në këto momente të vështira.
Në një prononcim për mediat, Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, tha se Shqipëria mike i ka qëndruar Türkiye-s shumë afër që në momentet e para të tërmetit.
Ambasadori turk Atay, kujtoi se Shqipëria menjëherë ka dërguar drejt zonës së tërmetit në Turqi ekipet e kërkim-shpëtimit, që po vijojnë kërkimet për gjetjen dhe shpëtimin e jetëve.
“Dua të falënderoj të gjithë autoritetet shqiptare, gjithë popullin shqiptar, sepse në këto momente të vështira i kanë qëndruar pranë popullit turk. Sot jemi grumbulluar këtu për të nisur ndihmat e para nga Shqipëria për në Türkiye. Nën koordinimin e plotë të ambasadës tonë këtu në Shqipëri dhe bashkëpunim me Shoqatës së Diplomuarve në Türkiye të Shqipërisë (TUMED dhe Fondacionit “Fundjavë Ndryshe” kemi bërë të mundur grumbullimin e këtyre ndihmave. Ajo çfarë është më emergjente që duhen janë çadrat, ngrohëset, batanijet dhe gjeneratorët”, tha Atay.
Ambasadori Atay tha se në ditët në vijim do të vazhdojnë me grumbullimin e ndihmave, duke bërë thirrje që qytetarët shqiptarë të ndjekin faqet zyrtare për thirrjet që bëhen për ndihmat. Infoweb Media






