Testimi për mjekësinë, maturantët hasin ‘probleme’ ende pa nisur provimi

0

Maturantët që duan të ndjekin studimet në Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë kanë nisur sot provimin e informatizuar, një provim që nuk është pritur mirë nga maturantët të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre.

Në fillim, maturantët janë ankuar se provimi ishte parashikuar të kryhej në datat 10-20 gusht ndërsa njoftimi për kalendarin e sesioneve do të publikohej brenda datës 6 Gusht, gjë që nuk ndodhi kështu duke lënë jo pak në ankth maturantët.

Ndërkohë, datat e provimit të informatizuar u publikuan ditën e premte, datë 11 gusht, ku u njoftua se provimet nisin me datë 14 gusht, ditën e hënë.

Maturantët që kishin fituar të drejtën për të kryer provimin duhej të paguanin një tarifë prej 5 mijë lekësh.

Për këtë shifër kanë reaguar shumë maturantë të cilët thonë se përveç shifrës së lartë të pagesës, koha për ta paguar në bankë ishte e pamjaftueshme.

“Maturantët u njoftuan të premten dhe shumë prej tyre do futen në provim në orën 08:30 ndërkohë që duhet të jenë një orë para provimin në ambientin e QSHA. Si mund të kryhet pagesa kështu”, thotë një prej maturantëve.

Një tjetër maturant shpreh shqetësimin për koston e lartë shtesë, duke përmendur edhe maturantët që jetojnë në rrethe.

“5000 lekë për testin, shto dhe kostot e rrugës e ndonjëherë dhe të qëndrimit sepse orari i fundit është në 14:30 dhe për disa rrethe ka furgona deri në orën 16:00. Po stresohemi për çdo gjë tani”, thotë një tjetër maturant.

Nga 1813 maturantë që kanë aplikuar do të përzgjidhen rreth 400 studentë fitues. Ndërkohë që janë edhe kuotat për studentë nga diaspora dhe në total do të jenë 464 studentë që do të ndjekin vitin e parë  në mjekësi.

Pikët e grumbulluara nga mesatarja e maturës shtetërore, të cilën Fakulteti i Mjekësisë e kërkon mbi 8.5  përbëjnë 70% të vlerësimit dhe pikët që do të marrin në testimin e nesërm përbëjnë 30 % të vlerësimit. Maturantët janë ndarë në grupe dhe janë përcaktuar oraret e testimit brenda të njëjtës ditë. Duke qenë se testimi zhvillohet online dhe pyetjet janë me alternativa, maturantët do t’i marrin përgjigjet brenda ditës.

Për herë të parë studentët që do të shpallen fitues për të ndjekur studimet në mjekësi do të lidhin kontratë që pas studimeve të ofrojnë shërbim shëndetësor për 5 vite në vendin e tyre.

Ligji u miratua në seancën e fundit parlamentare por nuk është dekretuar ende nga presidenti i Republikës.

Këtë vit u vu re një ulje e numrit të maturantëve që zgjodhën degën e mjekësisë me gati 40% nga viti i kaluar, ku aplikuan 3 mijë maturantë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu