Thaçi bën mbrojtjen e tij në Hagë: Më vjen keq që në këtë proces s’mund të dëshmojnë Albright, Rugova e Demaçi

0

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, është deklaruar i pafajshëm dhe ka mohuar pretendimet e Prokurorisë.

Në fjalën e tij, ai ka thënë se i vjen keq që në këtë proces gjyqësor nuk mund të dëshmojnë për pafajësinë e tij disa figura të larta si Ibrahim Rugova, Madeleine Albright, Fehmi Agani, Richard Hoolbroke, Adem Demaçi e të tjerë.

“Më vjen keq që nuk do të kemi mundësi që në këtë gjykatë të dëgjojmë dëshmitë e sekretares së shtetit, Medeleine Albright, sekretarit të jashtëm Holdbrooke, Demelio, presidentit Ibrahim Rugova, profesor Fehmi Agani, Adem Demaçi. Ata do të kishin dëshmuar në emrin tim për atë që kam thënë dhe bërë gjatë asaj periudhe shumë të rëndësishme në historinë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai është shprehur më tej se ndjen keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat.

“Viktimat nuk marrin drejtësi kur ndiqen të pafajshmit. Unë jam i pafajshëm, por i gatshëm të përballem me këtë sfidë të re dhe të kem sukses në këtë rrugëtim. Rruga jonë drejt lirisë ishte shumë e vështirë. Isha student në Zvicër kur ndodhi masakra ndaj familjes Jashari. Unë, sikurse edhe shumë të tjerë, u ktheva në Kosovë. Kushdo që do të ishte në vendin tonë do të kishte bërë gjënë e njëjtë”, ka deklaruar Thaçi.

“UÇK përbëhej nga njerëz të thjeshtë që përpiqeshin të mbronin familjet e tyre. Qytetarët e Kosovës nuk donin luftë, ata donin paqe. Lufta u imponua. Ata bënë atë që do ta bënte çdo popull liridashës. Kosova ishte në anën e drejt të historisë. Sot jam i lumtur që populli i Kosovës jeton në një vend të lirë ku sundon ligji. Kosova është rrëfim suksesi”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu