TAILANDË- 32 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur një vinç ra mbi një tren pasagjerësh në Tajlandë. Mediat e huaja, shkruajnë se, një vinç në një kantier ndërtimi u shemb dhe ra mbi një tren pasagjerësh.
Vinçi u instalua në një kantier të madh ndërtimi për një rrjet hekurudhor me shpejtësi të lartë të mbështetur nga Kina dhe të operuar nga një kompani tajlandeze që është përfshirë në aksidente të tjera në të kaluarën. Vinçi ra dhe nxori nga shinat një tren pasagjerësh që lidhte kryeqytetin Bangkok me provincën Ubon Ratchathani.
32 persona u vranë dhe më shumë se 60 u plagosën, shtatë prej tyre rëndë, thanë autoritetet lokale shëndetësore, duke shtuar se tre persona ende rezultojnë të zhdukur. Ministri i Transportit i Tajlandës, Phiphat Ratchakitprakarn, tha se në trenin e pasagjerëve kishte 195 pasagjerë.
Tren me shpejtësi të lartë
Vinçi ndodhej në kantierin masiv të ndërtimit, i cili filloi në vitin 2017, një dekadë me vonesë, për t’i dhënë Tajlandës trenin e parë me shpejtësi të lartë. Projekti, i vlerësuar të kushtojë 5.4 miliardë dollarë, pritet të lidhë Bangkokun me Kunmingun në Kinën jugore nëpërmjet Laosit.
Për të parandaluar që kjo linjë e re hekurudhore të rrisë varësinë e Tajlandës nga Pekini, në kurriz të marrëdhënieve të saj të mira me Shtetet e Bashkuara, Bangkoku ka këmbëngulur të mbajë të gjithë koston e ndërtimit të saj. Kina po ofron mbështetje teknike, por “duket se ky seksion po ndërtohet nga një kompani tajlandeze”, tha Ministria e Jashtme kineze.
Kompania në fjalë është Italian-Thai Development, e cila tha në një deklaratë se do të merrte përgjegjësinë për kompensimin e familjeve të viktimave dhe mbulimin e shpenzimeve mjekësore të të lënduarve.





