Thellohet skandali, Bezhani: SPAK të hetojë Elez Gjozën

0

Ka mjaftuar vetëm një deklaratë e disa ditëve më parë nga kreu i shtangës, Elez Gjoza, që ky i fundit të përfundojë në shënjestrën e Viron Bezhanit. Sipas Gjozës, ndryshimet e bëra në Komitetin Olimpik disa muaj më parë, i kanë rikthyer dinjitetin këtij institucioni. Me këtë nuk pajtohet ish-presidenti Viron Bezhani, i cili për 8 vite ishte drejtuesi më i lartë i KOKSH-it.

Në një letër të gjatë për “Panorama Sport”, Bezhani vazhdon të këmbëngulë në qëndrimet e tij, teksa bën të ditur se ndryshimet në Komitetin Olimpik kanë ardhur me manipulime dhe nga njerëz me precedentë penalë. Ish-kampioni i mundjes shqiptare i bën apel SPAK-ut që të nisë hetim ndaj Elez Gjozës, teksa i numëron këtij të fundit një listë me shkelje të rënda.

LETRA E VIRON BEZHANIT

“Quhem Viron Bezhani, dhe kur ndodhi marrja e manipuluar në dhjetor 2020 e KOKSH-it me ndërhyrje katërcipërore të PS-së mbas Fidel Yllit, unë kisha tri vite që kisha denoncuar si president i KOKSH-it keqqeverisjen dhe abuzimet në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Institucioni Olimpik e gjeti veten të manovruar nga mjeshtrit e marionetave dhe tashmë propagandohet një sukses pa përmbajtje, që i shkon për shtat propagandës klienteliste dhe fasadë që ka kjo qeverisje e që tashmë është prezente edhe në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Kur largohesh nga drejtimi i një institucioni kuptohet që jo domosdoshmërisht personi që të pason është i virtytshëm apo simbol i etikës dhe integritetit. Është normale që të kesh edhe kritika, pasi do të ketë edhe gjëra që për shumë arsye nuk u bënë dot, sepse lufta brenda llojit, e imja për transparencë dhe mirëqeverisje, dhe e atyre që ishin të përfshirë në spekulime dhe shpërdorim detyre për të mbrojtur veten, kanë bërë vetëm minimumin për të përligjur qëndrimin, dhe nuk kanë përmbushur misionin e organizatës në më të mirën!… Ama, të dëgjosh Elez Gjozën kur deklaron se KOKSH-it tani i ka ardhur dinjiteti me zgjedhjet e reja, të vjen një përzierje në stomak, të vjen keq kur duket qartë se çfarë elementesh janë ricikluar e futur në drejtim në sport, si dhe nga kush mbrohet dhe propagandohet KOKSH-i…

E para, nuk dua të zgjatem për KOKSH-in, pasi dihet si u mor, me njerëz me precedentë penal, të burgosur dhe në mënyrë joligjore. Këtë e vërtetoi edhe Krimi Ekonomik me dokumentacionin fals mbi të cilën u thërrit dhe u mbajtën zgjedhjet, si dhe që aktualisht çështja e ligjshmëria e këtyre zgjedhjeve është akoma në gjykim në gjykata!

Ndërkohë, për ta bërë KOKSH-in ‘të vezullojë’ në media, i është caktuar detyra e ‘zëdhënësit’ një individi me afera dhe korrupsion si Elez Gjoza! Një profil personi që është një turp si për atë institucion, ashtu edhe për drejtuesit e shtetit që e promovojnë. Sepse dihet publikisht se kush është Elez Gjoza dhe çfarë dinjiteti mund të japë!

– Dihet dënimi që mori Federata e Peshëngritjes nga Komiteti Olimpik Botëror, kur Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes i asaj kohe ishte Elez Gjoza (për kapjen në mënyrë të përsëritur me doping)! -Vendimi i KOKSH-it ishte i prerë që Presidenti i asaj Federate së bashku me kryesinë të largoheshin nga drejtimi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

– Shumë njerëz e dinë se çfarë ka bërë dhe me çfarë është marrë në Zvicër Elez Gjoza!

– Dihet, gjithashtu, historia e Kontrollit të Lartë të Shtetit kur Elezi punonte në tatime dhe abuzonte duke çdoganuar maune me arkivole si të përdorur. -Dihet kur ishte kryetar i njësisë Bashkiake nr.2 dhe ndiqej nga organet e drejtësisë se i kishte bërë pasaportizimin 200 qytetarëve në një hyrje dhomë e kuzhinë si garsoniere.

– Dihet skandali i përbashkët që ka bërë me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, ku merr nga kryetari i bashkisë dhuratë shumën prej 100 milionë lekësh (të vjetër) për të paguar gjobën që kishte marrë Federata Shqiptare e Peshëngritjes nga rastet e përsëritura të përdorimit të dopingut! (Si ka mundësi që bashkia të paguajë gjoba dopingu, si ka mundësi që këto fonde të derdhen në llogari dytësore në Federatë nga KS Tirana, si dhe dorazi të dërgohet jashtë shtetit kjo shumë kaq e madhe dhe të jepet në mënyrë private kesh. Për këto dy afera në shuma të mëdha, do të doja edhe një herë të ftoj SPAK-un që të merret:

– me korrupsionin në sport, të hetojë lëvizjet financiare në Bashki, Federatë dhe në KOKSH, dhe konkretisht me këta elementë që kanë gjithë jetën që abuzojnë dhe gjejnë edhe kurajën të flasin për dinjitet.

– si dhe SPAK-u të bëjë veting e të verifikojë a është i dënuar në Zvicër Elez Gjoza apo jo?! E, gjithashtu do të ishte shumë interesante të shpallet publikisht, nëse po, për çfarë është dënuar! Unë nuk dua t’iu heq meritat djemve të peshëngritjes, Briken e Erkand, e të gjithëve që me djersen e tyre e të trajnerëve të tyre po bëjnë krenarë shqiptarët dhe që iu takon të udhëhiqen nga drejtuesit e Federatës.

Ajo që dua të them është se qokat financiare janë më e pakta që qeveria duhet të bëjë për sportistët elitarë, dhe nëse një kampion botëror arrihet të shpallet sepse federata e dopingut mundësoi të shkohej në ‘Rio 2016’ duke paguar 100 milionë lekë gjoba, unë mendoj se 100 milionë lekë të kultivuara me integritet sjellin 5 kampionë bote, aty ku nuk pritet shpresa e talenteve me klientelizëm partiak! Unë quhem Viron Bezhani dhe pasionin sportiv e kam në ADN si me post edhe pa post!

Por, nuk mund të toleroj këta ‘Olimpistët’ me pasion ‘part time’ sa herë që politika iu jep patericën e vet! Është viti 2022! E vërteta do të buçasë fort e më fort pavarësisht se tentohet të mbulohet me lobim të fuqishëm politik! Sporti duhet të marrë oksigjen e të lulëzojë pastër e gjatë! Dhe unë llambat i ndez për të gjithë që të orientohen drejt, jo nga do propaganda!”

PANORAMASPORT.AL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu