Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 31-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale, si: “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë të rendit publik” kryer në bashkëpunim, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
I arrestuari ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, ndërsa kur është konstatuar për këtë shkelje, ai së bashku me një tjetër, kanë kundërshtuar forcat e policisë. Ndërkohë, gjatë kontrollit këtij personi i është gjetur edhe kokainë në xhep.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit F. (Xh). L., 31 vjeç, pasi ishte i shpallur në kërkim për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë të rendit publik” kryer në bashkëpunim, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ky shtetas ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe në bashkëpunim me shtetasin Xh. M. (i arrestuar në flagrancë), kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit F. (Xh). L. i është gjetur një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kokainë.