Tirana si Nju Jorku, me dy kulla binjake qiellgërvishtëse në Rrugën e Kavajës!

0

Tiranë- Tirana po kthehet dalëngadalë në një masiv të stërmadh betoni. Ndërtime shumë të vjetra të viteve ‘50 apo ‘60, të zëvendësuara nga ndërtimet kaotike të pas viteve ’90 dhe së fundmi nga ndërtesat e larta, që po i marrin frymën mbi 1 milionë banorëve. Sipërfaqet e gjelbra kanë mbetur me pikatore, teksa “kufiri” i ndërtuesve është vetë qielli.

Vitet e fundit janë dhënë qindra leje për kulla të larta, të ndërtuara edhe në zonat më elitare apo edhe midis ansamblit të godinave qeveritare, duke e kthyer Tiranën sërish më kaotike sesa në vitet 2000. Për të mos përmendur edhe infrastrukturën e cila ka mbetur po ajo, megjithëse kryeqyteti është dhjetëfishuar për nga numri i popullsisë.

Dhe, në gjithë këtë valë, ja ku vjen një tjetër projekt gjigand, i cili do të ndërtohet në nja nga zonat më të populluara, përgjatë Rrugës së Kavajës.

Dy qiellgërvishtësit do të ndërtohen pranë Rrugës së Kavajës. Bëhet fjalë për kompleksin e kullave binjake.

Projekti është reklamuar nga firma që i projektoi, e cila shkruan se projekti është “një organizëm i ri i gjallë ngjitur me bulevardin më të rëndësishëm të Tiranës, duke prezantuar një dialog të ri midis arkitekturës, hapësirës publike dhe mjedisit natyror të qytetit”.

“I konceptuar si një rizom mineral që lulëzon nga toka, projekti del nga një matricë që organizon si strukturën ashtu edhe peisazhin, e ndjekur nga një grumbull i dendur kolonash që lidhin vizualisht dhe fizikisht kullat me sheshet përreth dhe hapësirat e gjelbra. Ky dizajn nxit një ndërveprim organik midis mjedisit të ndërtuar dhe jetës publike, duke krijuar një rrjedhë të vazhdueshme midis hapësirave të brendshme dhe të jashtme”, shkruan kompania projektuese.

Sipas saj, kompleksi integron me kujdes hapësirat e shitjes me pakicë, hapësirat e zyrave, një hotel, njësi banimi dhe një gamë të gjerë lehtësirash publike dhe private.

Projekti do të ketë qendra tregtare, apo edhe dyqane ekskluzive qiellore dhe një restorant në çati, të cilat do të ofrojnë pamje gjithëpërfshirëse dhe panoramike të Tiranës.

Por, kush do t’a ndërtojë? Firma projektuese “Coldefy” shkruan se klienti është “glob3x.al”. Nëse do të shkosh të faqja e internetit të kësaj kompanie, rezulton se edhe ajo e ka reklamuar projektin në fjalë.

I njëjti projekt është reklamuar edhe nga faqja e internetit e kompanisë “Glob3X”. Ajo shkruan se kullat do të ndërtohen së shpejti, ndërkohë që nuk jep detaje nëse e njëjta firmë ka marrë ose jo leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. E njëjta firmë ka marrë leje nga KKT për një projekt në zonën e 5 majit, apo edhe në rrugën Zenel Bastari.

Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, klientët e projektit në fjalë të kullave të stërmëdha binjake në Tiranë, janë Skënder dhe Visjan Dedja. Skënderi ka qenë themelues i firmës, teksa aktualisht ai mban 49 % të aksioneve dhe 51 i ka Visjani.

Tashmë, edhe familja Dedja nga Burreli po “pushton” Tiranën, duke ndërtuar pafund, vend e pavend. Nëse do të shohësh projektin në fjalë, me dy kullat, ato do të ndërtohen ngjitur me pallatet ekzistuese, ku fjala “hapësira” apo “sheshe” as nuk zënë vend në projekt. Burimi Voxnews