Mbrëmjen e sotme emisioni ‘Stop’ ka denoncuar një ndërtim pa leje në lagjen “28 nëntori” në Berat, zonë e klasifikuar e mbrojtur, e kontrolluar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.
Sipas denoncimit, ai që po ndërton, është Dejni Zylyftari, i cili punon si topograf në Bashkinë e këtij qyteti, por njëkohësisht edhe i afërm i Kryetares së PS në Berat, Valbona Zylyftari, e cila është prefekte e qarkut.
Denoncuesi: Jam trashëgimtar i kësaj shtëpisë këtu. Kisha një shtëpi këtu përballë, dikush e ka shitur, nuk e dimë se kush e kishte blerë. Kur vij këtu, ai kishte kryer punime, por nuk dukeshin në ato moment sepse ishte vetëm kati, sa ishte shkatërruar si shtëpi.
Pas konstatimit emisioni i është drejtuar Institutit të Monumenteve të Kulturës Berat, për të pyetur a ka leje për këtë ndërtim. Përgjigja ishte, se nuk rezulton të jetë dhënë leje nga IMKK.
Instituti i Monumenteve të Kulturës, Berat: Po me ç’më thotë drejtori, ka leje vetëm nga Bashkia…
Gazetari: Nga Instituti nuk ka?
Instituti i Monumenteve të Kulturës, Berat: Nga Instituti jo.
Pas kësaj ata kanë informuar IMKK-në dhe Ministrinë e Kulturës, ku juristja na tha se do të merren të gjitha masat, për rikthimin e situatës në kushtet e parandërhyrjes.
Në bashkinë e Beratit nuk është bërë asnjë lëvizje edhe pse para denoncimit në “Stop” një tjetër ishte bërë në IMT-në e bashkisë.
Instituti Kombëtar i Monumenteve: Ky i ka marrë vetëm në Bashki, domethënë në Ministrinë e Kulturës… Bashkia nuk duhet ta japë lejen pa marrë miratimin tek ne fillimisht dhe puna është, se këtu duhet të kishte reaguar drejtoria rajonale. E përcjellin ata në Tiranë për ta hequr… Tani të tregohem edhe unë e sinqertë, sepse në fund të ditës të gjithë përgjigjemi për veten tonë. Tani e vërteta është, që drejtoria rajonale, si institucion i specializuar, i ka në administrim dhe ajo, në momentin, që shikon një punim, shkon e vërteton ke leje, s’ke leje dhe duhet t’i pezullojë punimet dhe njoftimi i shkon IMT-së. Kjo gjë nuk është bërë nga drejtoria rajonale. Kjo gjë bëhet tani, domethënë, do bëhet tani… A ka vlerë tani, se ai i ka përfunduar, ai tani duhet ta kthejë në gjendjen e mëparshme me ligjin 27 të 2018-ës të Trashëgimisë Kulturore. Këtij zotërisë do t’i bëhet një kërkesë dhe do i thuhet, që projekti nuk ka marrë miratimin e KKTM-së, që është Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe objekti do kthehet në gjendjen e mëparshme.
Drejtuesi provizor i IMT-së Berat, Gerti Konti, erdhi vetë në terren, ku konstatoi ndërtimin pa leje me beton e hekur në një zonë të ndaluar, monument kulture. Konti tha, se do te merren masat, gjobë dhe prishje e ndërtimit nga strukturat e IMT-së Berat.
Gazetari: Ja ku është nusja, ja ku është dhëndri! Domethënë duket qartë, është ndërtuar, është bërë soletë…
IMT Berat, Gerti Kondi: Duket, ajo është gjë, që …nuk ka nevojë për…
Gazetari: Nuk do as laps, as kalem të kuptohet, që është ndërtim i ri…
IMT Berat, Gerti Kondi: Tamam!
Gazetari: Ideja është që kur konstaton një ndërtim pa leje, çfarë ndiqet si jurist?
IMT Berat, Gerti Kondi: Si jurist ndiqet… bëhet kallëzimi në polici, ndjek hallkat për ndërtim pa leje për anën e shkeljes ligjore tek prokuroria. Pjesa e IMT-së zbaton vendimet me gjoba, urdhër prishje, të gjitha procedurat zinxhir.
Gazetari: Do merren të gjitha këto masat tani?
IMT Berat, Gerti Kondi: Po po, masat do merren. Çfarë parashikon ligji që do penalizohet, do penalizohet. Çdo masë do merret.