Trafikonin drogë drejt Maqedonisë me ‘jetski’, arrestohet një person dhe shpallet në kërkim i vëllai

0

Policia e Pogradecit ka arrestuar shtetasis Adrian Papajanis, 35-vjeç, i cili në bashkëpunim me të vëllain Fatjon Papajanis dyshohet se trafikonin kanabis drejt Maqedonisë së Veriut me motora uji.

35-vjeçari u arrestua në flagrancë në liqenin e Ohrit, teksa po tentonte të  trafikonte 1 kg kanabis drejt shtetit maqedonas.

Njoftimi i plotë i policisë: Pogradec

Goditet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Tentuan të trafikonin lëndë narkotike nëpërmjet kufirit liqenor, vihet në pranga 1 shtetas dhe shpallet në kërkim vëllai i tij.

Sekuestrohet lëndë narkotike kanabis, mjete dhe pajisje të tjera të cilat shërbenin për këtë aktivitet kriminal.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. P., 35 vjeç dhe shpallën në kërkim vëllain e tij F. P., 29 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria, në drejtim të Maqedonisë së Veriut, duke përdorur kufirin liqenor të Ohrit. Falë veprimeve të mirëorganizuara, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit A. P., duke tentuar të trafikonte 1 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, sasi e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me një varkë, dy motora uji tip “Yamaha”, dy peshore elektronike, mjete të cilat përdoreshin nga dy vëllezërit në këtë veprimtari të paligjshme.

Nga ana e Policisë, po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu