Nuk kaluan shumë orë pasi ndërroi jetë një mësuese në Përrenjas ku më pas vdiq edhe vëllai i saj.
Një tragjedi brenda familjes e cila ndodhi për shkak të koronavirusit.
Motër e vëlla, të cilët ishin shtruar në spital në Tiranë prej një jave, e kanë humbur betejën me sëmundjen brenda pak orësh.
Fillimisht u raportua për humbjen e mësueses së muzikës, Irena Bajlozi, por pak orë më vonë, virus i mori jetën edhe vëllait të saj Agron Bajlozi. Të dy ishin infektuar prej 2 javësh dhe përfunduan në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Për humbjen e tyre ka reaguar zyrtarisht edhe Bashkia e Prrenjasit me anë të një shkrimi në Facebook që ia dedikon artistes Irena, të cilën e cilëson si ikonë të artit dhe muzikës që punoi plot pasion, përkushtim e profesionalizëm.
Postimi i plotë:
Qyteti i Prrenjasit është zgjuar sot nga një lajm i trishtë, ndarja e parakohshme e mësueses artiste Irena Bajlozi. Një mësuese model që gjithë jetën e saj ia kushtoi artit, muzikës duke mësuar breza të tërë. Irena mbetet ikona e artit dhe e muzikës në e qytetin Prrenjas që punoi me pasion, përkushtim dhe profesionalizëm çdo aktivitet artistik, kulturor mban emrin e saj. Kontributi dhe jeta e saj artistike do të jetojë gjatë mes miqsh, kolegësh, të afërm, nxënës në secilin prej nesh. U prefsh në paqe mësuese Irena Bajlozi, ngushëllime familjarëve.