Tragjedia në Shkodër: Ndërron jetë pas 6 ditësh në spital Anila Ndoka

0

Pas gjashtë ditësh në gjendje kritike, 44-vjeçarja Anila Ndoka, nënë e tre fëmijëve, ndërroi jetë pasi u qëllua në kokë nga bashkëjetuesi i saj, 34-vjeçari Kolë Manaj, i cili më pas vrau veten. Ngjarja ndodhi më 18 shkurt 2025, në lagjen “Mark Lula” të Shkodrës, ku çifti u gjet brenda një automjeti me plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Manaj humbi jetën në vend, ndërsa Ndoka u dërgua në spital në gjendje të rëndë.

Sipas burimeve policore, konflikti mes çiftit kishte nisur dy javë para ngjarjes, pasi Ndoka dëshironte t’i jepte fund marrëdhënies për shkak të papunësisë së Manajt. Gjatë kësaj periudhe, Manaj i kishte dërguar mesazhe kërcënuese, duke deklaruar se do të dëmtonte veten nëse ajo e linte.

Në ditën e ngjarjes, Manaj e priti Ndokën pranë vendit të saj të punës dhe, pas një debati në automjet, e qëlloi atë në kokë dhe më pas vrau veten. Ndoka u transportua fillimisht në spitalin rajonal të Shkodrës dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndërroi jetë pas gjashtë ditësh trajtimi intensiv.