TIRANË – Në kuadër të Javës së Kuzhinës Turke, Ambasada e Turqisë në Tiranë organizoi një pritje zyrtare me pjesëmarrjen e ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, përfaqësuesve të institucioneve dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme. Aktiviteti solli në vëmendje traditat gastronomike turke, përmes prezantimit të gatimeve karakteristike dhe mesazheve mbi trashëgiminë kulturore që mbart kuzhina.
Pritja u zhvillua nën kujdesin e ambasadorit të Turqisë në Shqipëri, Baris Ceyhun Erciyes, i cili në fjalën e tij theksoi se edicioni i pestë i Javës së Kuzhinës Turke këtë vit mban temën “Trashëgimia në tryezë”, duke e konsideruar tryezën jo thjesht si vend ku konsumohen ushqimet, por si hapësirë ku ruhen kujtimet, miqësia, solidariteti dhe ndarja e përbashkët.
“Ushqimi nuk lidhet vetëm me plotësimin e nevojave fizike, por edhe me ushqimin e shpirtit. Tryezat festive, gostitë e dasmave apo traditat e tjera kulinare pasqyrojnë frymën e solidaritetit në shoqëri”, u shpreh ambasadori.

Ai vuri në dukje se kuzhina turke përfaqëson një trashëgimi të pasur kulturore të formuar ndër mijëra vite, si rezultat i ndikimeve dhe kontributeve të qytetërimeve të ndryshme. Sipas tij, traditat e ardhura nga Azia Qendrore dhe të ndërthurura me trashëgiminë selxhuke dhe osmane kanë krijuar një kulturë kulinare të larmishme.
Në fjalën e tij, ambasadori nënvizoi se kjo trashëgimi nuk i përket vetëm Turqisë, por përbën edhe pjesë të kujtesës së përbashkët të Ballkanit dhe rajonit të Mesdheut. Ambasadori turk theksoi se afërsia historike dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Turqisë reflektohet edhe në traditat ushqimore.
“Nga byreku te dollma, nga bakllavaja te kultura e kafesë, shumë shije të përbashkëta dëshmojnë lidhjet e forta mes popujve tanë”, deklaroi ai.

Ambasadori u ndal edhe te ndryshimi i mënyrës se si perceptohet ushqimi sot, duke theksuar se njerëzit kërkojnë jo vetëm shije, por edhe histori, autenticitet dhe sinqeritet. Sipas tij, kuzhina turke, me recetat me bazë bimore, produktet e fermentuara, filozofinë e ushqyerjes së balancuar dhe vlerësimin e prodhimit lokal, ofron një trashëgimi që i përgjigjet nevojave bashkëkohore.
Gjatë fjalës së tij, ai vlerësoi gjithashtu librin “Turkish Cuisine with Timeless Recipes”, të përgatitur nën udhëheqjen e Zonjës së Parë të Turqisë, Emine Erdoğan, duke theksuar se vepra ka luajtur rol të rëndësishëm në promovimin ndërkombëtar të kuzhinës turke dhe përfaqëson jo vetëm një përmbledhje recetash, por edhe kujtesën kulturore të një qytetërimi.
Në përmbyllje, ambasadori falënderoi të gjithë kontribuuesit në organizimin e aktivitetit dhe shprehu dëshirën që Java e Kuzhinës Turke të forcojë më tej miqësinë dhe afërsinë kulturore mes dy vendeve.
Java e Kuzhinës Turke zhvillohet nga 21 deri më 27 maj dhe këtë vit fokusohet te trashëgimia kulturore dhe kujtesa kolektive e ruajtur përmes traditave kulinare./Infoweb Media





