Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Skadenca” duke arrestuar një 56-vjeçar që tregonte pije të skaduara.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik Financiar në DVP Shkodër, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit ekonomik dhe financiar, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Skadenca”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. H., 56 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili” Shkodër, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja ose ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin tregtar që administronte ky shtetas, në lagjen “Salo Halili”, Shkodër, kanë gjetur dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme me pije (lëngje frutash), të cilave u kishte kaluar afati i skadencës.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.