TIRANË- Familjarët e 24-vjeçares palestineze Rayyan Alwan, e cila u vra nga babai i saj në një shtëpi të marrë me qira, me shumë mundësi nuk do ta tërheqin trupin e saj të pajetë për ta përcjellë për në banesën e fundit. Policia konfrimoi se ka kontaktuar të afërmit e vajzës, por asnjë prej tyre nuk ka paraqitur kërkesë apo interes për ta tërhequr trupin e pajetë.
Miqtë e 24-vjeçares për Balkanweb, konfirmojnë se familjarët nuk duan ta tërheqin trupin pasi ka qenë vetë nëna dhe babai i saj që kanë bërë planin për vrasjen e Rayyan Alwan. Ata kanë kërkuar ndihmë për të kontaktuar me autoritetet shqiptare në mënyrë që trupi i pajetë i së ndjerës të tërhiqet prej tyre dhe të varroset në Gjermani.
“Ne duam ta varrosim këtu në Berlin, por nuk dimë si të procedojmë. Nëna e saj është zhdukur dhe babai i saj ka ikur në Liban”, shprehen ata. Viktima vijon të mbahet në morgun e Tiranës dhe nëse brenda afateve ligjore, nuk do të tërhiqet nga familjarë apo të afërm, ajo do të varroset në Tiranë.
Rayyan dhe Fadi Alwan mbërritën ne Rinas me datë 19 shkurt dhe u vendosën në një banesë me qira në rrugën Gjon Muzaka në kryeqytet. Sipas hetuesve Fadi Alwan pasi vrau 24-vjecaren me disa goditje thike me datë 22 shkurt, u largua nga Shqipëria në drejtim të Greqisë e prej andej në Amsterdam.
Ai dyshohet se është larguar drejt Libanit dhe deri më tani nuk është arrestuar. Trupi i pajetë i 24-vjecares u gjet nga pronarja e banesës, 5 ditë pasi autori i dyshuar ishte larguar nga vendi.
Fillimisht u raportua se bashkëshorti kishte vrarë gruan, po hetimet zbuluan se Rayyan Alwan ishte vrarë nga babai i saj. Fadi Alwan është për momentin një nga emrat e shumëkërkuar për vrasje, ndërsa policia është duke vijuar hetimet.