U arrestua dy ditë më parë/ Lirohet ish drejtoresha e spitalit të Dibrës, Irini Shehu!

0

Vetëm dy muaj pas shkarkimit nga detyra, ish-drejtoresha e Spitalit të Peshkopisë,Irini Shehu u vu në pranga nga policia, ndërsa dyshohet se ka kërcënuar e përndjekur disa persona.

Gjykata e Dibrës ka dhënë masën arrest shtëpie për 44-vjeçaren.

Sipas uniformave blu të Dibrës, ish-drejtoresha ka përndjekur drejtorin aktual të Spitalit të Peshkopisë, Rruzhdi Deda, që e zëvendësoi në këtë detyrë pas shkarkimit të saj, për shkak se goditi me mjete metalike shefin e Financës të spitalit, Shaban Uklala.

Pas ngjarjes, gjykata urdhëroi që 44-vjeçarja të mos ushtrojë më detyrën si mjeke pranë spitalit, urdhër që është thyer këtë të mërkurë nga ish-drejtoresha, e cila ka shkuar në ambientet e Spitalit Rajonal të Peshkopisë dhe ka debatuar me punonjësit.

Kanë qenë pikërisht këta të fundit, që kanë njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në ambientet e spitalit, duke prangosur 44-vjeçaren.

Pas shkarkimit nga detyra për dhunën e ushtruar ndaj punonjësit Uklala, ish-drejtoresha Shehu, e cila hetohej në gjendje të lirë, ishte denoncuar edhe nga punonjës të tjerë të spitalit për fyerje dhe kërcënime me mesazhe dhe thirrje telefonike.