Policia e Shtetit ka bërë me dije se një person që dyshohet se është Marklen Haka është arrestuar në Dubai.
Policia i ka dërguar të dhënat homologëve në Dubai për të bërë krahasimet nëse është ai, apo tjetër person.
Marklen Haka është në kërkim për dosjen “Revanshi” nga SPAK dhe akuzohet për vrasje e mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Kush është Marklen Haka?
Marklen Haka është një nga anëtarët e bandës së Niklës, i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend dhe i mbijetuar i disa atentateve.
Në vitin 2019, në një atentat ndaj Hakës mbeti e vrarë halla e tij, 50- vjeçarja Shpresa Basha. Ndaj të riut u qëllua me 100 plumba, ndërsa Haka kishte vetëm dy muaj që ishte liruar nga burgu.
Marklen Haka u arrestua për herë të parë kur ishte 20 vjeç, i dyshuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes.
Ai u arrestua më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit Nadien Zenelit mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet.
Ai e mohoi vrasjen dhe tha se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes. Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale dhe Prokuroria nuk kishte prova të mjaftueshme për ta shpallur të fajshëm.
Më 12 shtator të vitit 2018, Mariglen Haka u arrestua bashkë me të atin e dy persona të tjerë, në operacion e bujshëm, gjatë të cilit forcat speciale rrethuan Niklën dhe disa fshatra të tjera të Krujës, duke shoqëruar dhjetëra persona, por që arriti të gjente vetëm disa armë pa leje. Në lidhje me këtë arrestim, Haka u dënua me 1 vit heqje lirie.
Me një vendim të datës 9 prill 2019, Gjykata e Krujës e dënoi Hakën me 1 vit e gjysmë burg, por me gjykim të shkurtuar ai u dënua përfundimisht me 1 vit heqje lirie. Dënim që e përfundoi në korrik të 2019.
Në vitin 2022 ai ishte sërish shënjestër e një atentati, por mbijetoi pasi u plagos me një plumb në nofull.