U arrestuan pas protestës, mbështetësit e Bashës: U gjendëm papritur në sulm

0

Dëshmitë e personave që u gjetën brenda godinës së PD-së në mbështetje të kryetarit Lulzim Basha përsërisin se ishin thirrur për mbledhje nga kryetari i partisë dhe krejt befasisht ata u gjendën nën sulm nga mbështetës të shumtë të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili disa javë më parë kishte thirrur një protestë kombëtare para selisë blu.

Por sipas hetimeve, pretendohet se dyshimet se mund të kenë hedhur lëndë lakrimogjene i bën të dyshimtë mbështetësit e Bashës, ashtu si edhe protestuesit jashtë ndërtesës që pasi thyen derën dhe dritaret e katit të parë, dyshohen mes të tjerash se shkatërruan pronën.

Burimet për gazetaren Anila Hoxha tregojnë se një nga personat e arrestuar nga policia, i cili ndodhej brenda godinës së selisë së PD-së, ka treguar se ka mbërritur në seli në orën 08:30 i shoqëruar nga Luan Hoti dhe Orion Meta. Ai sqaron se kishte shkuar aty pasi ishte thirrur për një mbledhje nga kryetari Basha. Luku tregon se ndërsa po priste për fillimin e saj, ka dëgjuar disa zhurma që vinin nga jashtë.

Me të dëgjuar, zhurmat e para, ka vendosur të zbresë në katin e parë të godinës dhe aty ka vënë re që hyrja kryesore e godinës së selisë së PD-së po sulmohej nga jashtë. Më pas ka vendosur të ngjitet edhe njëherë tjetër në katin e dytë të godinës dhe aty është bashkuar me Luan Hotin dhe deputetët Ervin Salianji dhe Grida Duma e disa persona të tjerë.

Luku ka mohuar të ketë pasur dhunë nga njerëzit brenda PD-së, por ka deklaruar se goditjet janë parë dhe dëgjuar që vinin nga jashtë.

Kurse një person tjetër, po mbështetës i kryetarit Basha, i quajtur Indrit Sefa, ka pretenduar se nuk ka marrë pjesë në asnjë veprim të kundraligjshëm.

Po ashtu, Orian Meta ka shpjeguar se ka ardhur në selinë e PD-së në orën 08:30, së bashku me Luan Hotin dhe Stivi Lukun. Ai ka deklaruar se ka qenë në godinën e PD-së, në pritje të nisjes së mbledhjes kur ka dëgjuar zhurmat që vinin nga jashtë. Prokuroria mendon se Meta mund të jetë përfshirë në veprime të dhunshme, por asgjë me vlerë për hetimin.

Vendim Demaj ka treguar se ka mbërritur në selinë e PD-së rreth orës 08:30 në pritje të nisjes së mbledhjes por në ato çaste ka dëgjuar disa zhurma që vinin nga jashtë. Ka zbritur dhe ka parë që hyrja kryesore po sulmohej nga jashtë.

Kujtojmë se masat e sigurisë për 34 të arrestuarit e protestës së dhunshme të 8 janarit pritet të jepen nesër në orën 10:00.

Nuk është vendosur ende se cili do të jetë gjyqtari, ndërsa pritet të jetë Arbën Micko, pasi gjyqtarja që i ra shorti, Rexhina Merlika është me raport mjekësor.Mësohet se nga 34 të arrestuar, prokuroria kërkon për 29 persona masën “Detyrim paraqitje”.

Ndërsa për 5 persona “Arrest shtëpie”. Mes personave të arrestuar ka edhe qytetarë nga Kosova.

Sipas akuzave që janë ngritur, rezulton se 11 nga të arrestuarit janë mbështetës të Bashës dhe 23 të tjerë të Berishës.

Të shtunën, selia e Partisë Demokratike u sulmua me forcë nga mbështetës të Sali Berishës që iu përgjigjën thirrjes së tij për të protestuar për largimin e kreut Lulzim Basha.

Protestuesit tentuan të hapin me forcë dyert e blinduara dhe thyen xhamat. Menjëherë ndërhyri policia për të shpërndarë turmën, ku u përdor edhe gaz lotsjellës.

Marre nga Top Channel

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu