Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot Karaburun. Alban Kukaviqi, 56-vjeë u godit nga helikat e gomones ndërsa ndodhej në plazh me bashkëshorten dhe dy fëmijët.
Burime ekskluzive për Infoweb Media informojnë se ai sapo kishte zbritur nga një anije turistike në det afër molit ku ankorohen mjetet e lundrimit kur pësoi goditjen.
Fillimisht u trajtua në spitalin e Vlorës, por më pas u nis për ndihmë të specializuar drejt Tiranës.
Sipas të dhënave paraprake të spitalit, ai rrezikon të humbasë të dyja këmbët.
Alban Kukaviqi është një emër i njohur. Ai ka qenë basketbollist me Tiranën dhe me ekipin Kombëtar.
Aktualisht 56-vjeçari punon si inspektor në Inspektoriatin e Punës.
Detajet e policisë për ngjarjen:
Sot, në Karaburun, një mjet lundrues tip gomone, me drejtues shtetasin F. T., gjatë ankorimit në molin e vjetër të ish-ushtrisë në gjirin e “Shën Janit”, aksidentalisht me helikën e mjetit lundrues ka dëmtuar në këmbë shtetasin A. K., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte zbritur nga një anije turistike në det afër këtij moli. (Nuk kemi të bëjmë me zonë plazhi).
56-vjeçari është transportuar për ndihmë mjekësore.
Mjeti lundrues është bllokuar nga shërbimet e Policisë Kufitare, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Polici për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor i DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.