Ish drejtoresha e spitalit Rajonal të Dibrës e cila u shkarkua nga kjo detyrë pak javë më parë vijon të jetë në telashe me drejtësinë.
Shehu u shkarkua nga detyra pasi goditi me një mjet metali shefin e financës, pasi Shaban Uklala e denoncoi atë në polici.
Por pas këtij episodi teksa Shehu hetohej në gjendje të lirë, të tjerë punonjës të spitalit e kanë denoncuar atë për fyerje dhe kërcënime.
Po ashtu, këtë të enjte, Shehu është paraqitur tek spitali, gjë të cilën e kishte të ndaluar. Mësohet se edhe gjatë ditës së sotme ka patur përplasje me punonjës të spitalit.
Nisur nga këto ngjarje, prokuroria ka urdhëruar arrestimin e Irini Shehut, por kjo e fundit mundohet ta shmangë me gjendjen e saj shëndetësore teksa qëndron në një nga dhomat e spitalit nën monitorimin e policisë së shtetit.
Vetë Irini Shehu e ka konsideruar urdhërarrestin të paligjshëm dhe të pabazuar në prova.