U kap me 21 kilogram eksploziv, kush është Ervis Cukali i arrestuar gjatë aksionit në Sarandë!

0

Ervis Cukali, i cili rezultonte i shpallur në kërkim pasi në automjetin ku udhëtonte së bashku me dy të tjerë në vitin 2022 iu gjet 21 kg eksploziv, është arrestuar nga policia në Sarandë gjatë një aksioni policor në lagjen nr.1 të qytetit mbrëmjen e së premtes (12 Korrik)

Më 28 Gusht 2022, Albi Mecini u kap në flagrancë në fshatin Vajkan, ku kishte lënë mjetin e tij pranë lëndës eksplozive, në një rrugë dytësore pranë rrethrrotullimit përballë qëndrës “Viva” në rrugën për tek vendi i quajtur “Safari”.

Ndërkohë që bashkëpunëtorët e tij, Ervis Cukali dhe Arafat Manërkolli, ishin duke u afruar pranë tij me një mjet tjetër pa targa, i trafikuar dhe me shasi të falsifikuar, brenda të cilës u sekuestruan 3 bidona me lëndë djegëse benzinë.

Sipas Prokurorisë, që i dërgoi 3 të rinjtë për gjykim më 7 Dhjetor 2024, ata kanë poseduar dhe trasportuar sasinë prej 21 kilogram e 265 gram eksploziv në qytetin e Fierit dhe dyshohet se do të kryenin atentat.

Gjithashtu organi i akuzës, informoi se të pandehurit, të cilët janë të dënuar më parë, dyshohet se janë përfshirë në ngjarje të rënda.

Gjatë aksionit në Sarandë ranë në pranga:

Endri Doku, 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”;

Imer Gega, 21 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

Ervis Cukali, 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, i cili rezultoi edhe person i shpallur në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”.

Pistoleta, municioni luftarak dhe automjeti tip “Porsche” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë, operacioni policor i koduar “Diving”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonin të armatosur me pistoletë dhe municion luftarak, në një automjet luksoz, njëri prej tyre tentoi të arratisej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma.

Vihen në pranga 3 shtetas, mes tyre edhe një person në kërkim për vepra të rënda penale.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, 16 fishekë dhe automjeti tip “Porsche”.

Në vijim të kontrolleve të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lidhur me një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje që cenonte sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Diving”.

Si rezultat, në lagjen nr. 1, rruga “Butrinti”, Sarandë, u ndalua për kontroll automjeti luksoz tip “Porsche”, me të cilin udhëtonin 3 shtetas. Gjatë veprimeve, njëri prej tyre, shtetasi E. D., tentoi të largohej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma e zjarrit, me qëllim humbjen e provave. Por falë reagimit të shpejtë të punonjësve të Policisë, me mbështetjen e Policisë Kufitare që ndodhej në patrullim në afërsi me mjetin e tyre lundrues, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi.

Gjithashtu, nga punonjësit e Policisë Sarandë u bë e mundur, brenda një kohe shumë të shkurtër, gjetja e çantës me armën që ky shtetas tentoi të fshihte duke e hedhur në det.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit:

Arma e zjarrit (pistoletë), municioni luftarak dhe automjeti tip “Porsche” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.