Policia e Shtetit jep versionin zyrtar të arrestimit të supermashtruesit turk

0

TIRANË- Policia e Shtetit ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e Faruk Fatih Ozer, bossin e kriptomonedhave turke që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se bashkë me Ozer, janë vënë në pranga edhe dy shqiptarë, B. Sh., 36 vjeç, banues ne Tiranë dhe E. H., 37 vjeç, banues ne Durrës, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme, për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj.

Njoftimi nga Policia e Shtetit: Vijojnë operacionet për kapjen e personave shumë të kërkuar ndërkombëtarisht. Finalizohet operacioni policor i koduar “Brain”. Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me FAST Albania dhe DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Kapet në Himarë, i shumëkërkuari, 28-vjeçari nga Turqia, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pas shumë kërkimesh në disa qarqe të vendit, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi shumë të kërkuar nga drejtësia turke, si dhe falë përdorimit të metodave proaktive nga DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Brain”. Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit turk F. O., 28 vjeç. Ky shtetas u kap në Himarë, si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara. Gjykata e Lartë e Stambollit ka lëshuar urdhër arresti në vitin 2021, ndaj 28-vjeçarit, per veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”. Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin e shumëkërkuar, u shoqëruan dhe 2 shtetas te tjerë, B. Sh., 36 vjeç, banues ne Tiranë dhe E. H., 37 vjeç, banues ne Durrës, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme, për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Faruk Ozer është vënë në pranga një vit e gjysmë pas shpalljes së tij në kërkim ndërkombëtar. Boss-i i kriptomonedhave turke akuzohet se përmes kompanisë së tij, Thodex, mashtroi mijëra turq që kanë investuar paratë e tyre, rreth 2 miliardë dollarë në monedhat virtuale. Më pas, ai shpalli falimentin e kompanisë, bëri mbylljen me ndihmën e motrës së tij dhe u arratis drejt Shqipërisë me 2 miliardë dollarë cash.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu