Aktori dhe sipërmarrësi i njohur Bes Kallaku duket se ka hapur një kapitull të ri në jetën e tij sentimentale, vetëm pak kohë pas përfundimit zyrtar të divorcit me këngëtaren Xhensila Myrtezaj. Në rrjetet sociale dhe mediat rozë, ditët e fundit po qarkullojnë zëra se Besi ka nisur një lidhje të re dashurie, këtë herë me një vajzë jashtë botës së famës.
Dyshimet janë shtuar pasi aktori ka publikuar në Instagram Story një tatuazh me mbishkrimin: “U krye, Ejona 25.12.2025. Trëndafil në kohë lufte”, një detaj që është interpretuar nga ndjekësit si një mesazh personal me domethënie të veçantë.

Ndërkohë që javët e fundit vëmendja mediatike ka qenë e fokusuar te ish-bashkëshortja e tij, Xhensila Myrtezaj, dhe lajmet për një lidhje të mundshme të saj me reperin Ledri Vula, edhe Bes Kallaku duket se ka zgjedhur të ecë përpara. Pas një periudhe të ngarkuar emocionalisht dhe profesionale, ai i është rikthyer angazhimeve si artist dhe sipërmarrës, duke gjetur njëkohësisht kohë edhe për jetën private.
Burime pranë aktorit bëjnë me dije se vajza që shoqëron Besin nuk është personazh publik dhe se lidhja po mbahet larg syrit të medias. Edhe vetë profili i tij në rrjetet sociale reflekton këtë zgjedhje, pasi postimet e fundit fokusohen kryesisht te projektet profesionale dhe momentet me fëmijët, pa asnjë shenjë të partneres së re.
Mbetet e paqartë nëse kjo romancë është një lidhje serioze apo një njohje në fazat e para, por ajo që duket e sigurt është vendimi i Bes Kallakut për ta mbajtur jetën sentimentale sa më diskrete, pas ekspozimit të madh publik që shoqëroi ndarjen nga Xhensila.
Divorci i çiftit u rikthye sërish në vëmendje javën e kaluar, gjatë festimit të ditëlindjes së vajzës së tyre, Ajka. Vogëlushes iu organizuan dy festa të ndara, njëra pranë të atit dhe familjarëve të tij, dhe tjetra pranë nënës, e cila e surprizoi me një festë në shtëpi. Edhe pse jo së bashku, të dy prindërit kanë treguar kujdes që Ajka të shijojë maksimalisht këtë moment të veçantë.
Kujtojmë se divorci i Bes Kallakut dhe Xhensila Myrtezajt ishte një nga ndarjet më të bujshme të vitit në showbiz-in shqiptar. Me vendim të datës 23 dhjetor, Gjykata e Tiranës ka përcaktuar që aktori të paguajë 50 mijë lekë në muaj për secilin prej dy fëmijëve, Ajkën dhe Amenin.





