Pasi Gjykata e Durrësit e ka liruar nga burgu dhe i ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me konfliktin e pronësisë në Kepin e Rodonit, ish-deputeti Mark Frroku ka dhënë një prononcim të shkurtër për gazetarët.
Ish-deputeti Frroku është shprehur se kanë qenë në vendin e punës konform të gjithë ligjeve në fuqi në momentin kur ka ardhur pala tjetër në zonën ku ndodhi konflikti.
Mark Frroku: Ishim në vendin e punës, konform të gjitha ligjeve shqiptare në fuqi.
Pyetje: Çfarë ndodhi, kush ju sulmoi?
Mark Frroku: Ata që erdhën, ne ishim në vendin e punës. Çfarë të them më tepër? Kaq ishte.
Ditën e sotme Gjykata e Durrësit ka liruar 8 të arrestuarit që u përfshinë në konfliktin për pronësinë e tokës në Kepin e Rodonit dhe vendosi detyrim paraqitje ndaj tyre, mes të cilëve edhe ish-deputeti Mark Frroku.
Ndërsa për Besnik Tomën, që akuzohet se është personi që qëlloi me armë ditën e ngjarjes, është lënë arrest në burg në mungesë. Besnik Toma vijon të jetë i shpallur në kërkim.
Përplasja për tokën te Kepi i Rodonit kishte zanafilla të hershme, por degradoi të dielën, për shkak të pretendimeve që banorë të zonës dhe përfaqësues të kishës në zonën e Kepit të Rodonit kanë lidhur me një truall.
Gjithçka nisi në momentin që përfaqësuesit e kishës po kryenin rrethimin e tokës, për të cilën disponojnë certifikatë pronësie. Por me këtë dokument, pretendojnë të jenë pajisur edhe banorët e zonës.